Ish-kandidati republikan për president, Mitt Romney ka kritikuar presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se ka shkaktuar pakënaqësi dhe frikë në mbarë botën.

Në një artikull të botuar në “Washington Post”, Romney thotë  se Trump nuk ka arritur të kalojë nga petku i miliarderit tek ai i kreut të shtëpisë së Bardhë.

Artikulli vjen vetëm dy ditë para se Romney të bëjë betimin si senator dhe nga disa është konsideruar si përpjekje e tij për të sfiduar presidentin amerikan.

Në shkrimin e tij, Romney vlerëson shumë prej reformave të Trump, si  atë të taksave dhe emërimin e gjyqtarëve konservatorë.

“Por me një komb kaq të përçarë, të dëshpëruar dhe të irrituar, cilësitë e lidershipit presidencial janë të domosdoshme. Dhe pikërisht në këtë aspekt ka mungesa të theksuara”

, shprehet Romney.

Duke nënvizuar se, ndërkohë e gjithë bota i ka kthyer sytë nga Shtetet e Bashkuara, ish-kandidati republikan ka shtuar se veprimet e kreut të Shtëpisë së Bardhë  kanë shkaktuar pakënaqësi dhe frikë në mbarë globin.

Romney shtoi se do të mbështesë ato politika të Trump që janë në interes të Shteteve të Bashkuara, por jo ato veprime të tij që janë përçarëse, seksiste, destruktive, kundër emigrantëve dhe institucioneve demokratike.

Tv Klan