Duket se rekordet në futbollin Europian dhe jo vetëm janë të lidhura ngushtë me vetëm një emër, Cristiano Ronaldo. Pesë herë fituesi i Topit të Artë ka marrë shumë nderime gjatë karrierës së tij, por që gjithsesi nuk ka ndërmend për tu ndalur.

Në Kampionatin Europian të kësaj vere ai do të marrë pjesë për herë të gjashtë në një kompeticion të tillë, askush më shumë se ai.

Mbi të gjitha, ai ka shënuar 14 herë në 25 ndeshjet e turneut kontinental, rekord që kërkon ta thellojë akoma dhe më shumë. Megjithatë, kjo do të jetë larg nga ambicia kryesore e 39-vjeçarit, pasi ai kërkon të fitojë titullin e dytë Europian me Portugalinë.

Në prononcimin për UEFA-n, 39-vjeçari pranoi se pret shumë nga kombëtarja e tij dhe se ende mund të përmirësohet në fushën e lojës.

Cristiano Ronaldo, futbollist i Portugalisë: Mendoj se jam një lojtar i kompletuar, por gjithmonë ka gjëra që mund t’i perfeksionoj. Kemi humbur disa aftësi me kalimin e moshës, por është e rëndësishme të përshtatemi. Nëse një lojtar dëshiron të ketë jetëgjatësi, ai duhet të ketë një përshtatshmëri të fortë dhe karakteristikat për atë përshtatje. Nuk është rastësi që kam luajtur për 20 vjet në nivelin më të lartë, dhe ruajtja e kësaj performancë është shumë e vështirë. Vetëm me shumë përkushtim dhe punë mund t’i arrijmë këto shifra. Jam krenar që jam lojtari i parë që luaj në gjashtë turne Europiani. Është thjesht një kapitull në atë që Cristiano Ronaldo ka arritur në futboll. Jam i lumtur dhe ndihem i privilegjuar që jam këtu për të ndihmuar kombëtaren të arrijë objektivat e saj dhe, natyrisht, të përpiqemi të vazhdojmë dhe ta fitojmë atë, që është synimi ynë parësor.

Portugalia gjendet në grupin F së bashku me Republikën Çeke, Turqinë dhe Gjeorgjinë. Emocionet e kampionatit Europian do të keni mundësi për t’i përjetuar ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News