Sulmuesi i Juventusit i shënon Izraelit, 5 gola larg rekordit botëror

Portugalia ka fituar me poker golash testin e fundit miqësor përpara sfidave të zjarrit në Euro 2020. Kombëtarja luzitane mposhti pa shumë probleme 4-0 Izraelin, duke hedhur kështu kandidaturën për t’i shkuar deri në fund Europianit.

Bruno Fernandes dhe Cristiano Ronaldo ishte hero në këtë duel, me lojtarin e United që realizoi një dopietë personale. Mesfushori zhbllokoi duelin, ndërsa pak minuta më pas, Ronaldo dyfishoi shifrat, duke u ngjitur në kuotën e 104 golave me Portugalinë, 5 larg rekordit botëror. 

Me fillimin e pjesës së dytë, Portugalia u duk se e uli ritmin, gjithsesi arritën që të gjenin dy herë rrugën e rrjetës. Joao Cancelo realizoi për 3-0 në minutën e 87-të. Kur u mendua se u mbyll gjithçka, Bruno Fernandes shënoi tjetër gol, për rezultatin përfundimtar 4-0. Portugalia e nis aventurën në “Euro2020” kundër Hungarisë me 15 Qershor, teksa në grup janë edhe Gjermania me Francën.

Klan News