Cristiano Ronaldo u prezantua tek Juventus pa festën që meriton një lojtar i madh. Me shumë mundësi protestat e punëtorëve të Fiat zbehën pa nisur entuziazmin e drejtuesve të klubit. Por kjo nuk pati ndikim tek tifozët e shumtë që kishin dalë që në orët e paradites së të hënës për të takuar idhullin e tyre.

Në konferencën e zakonshme për shtyp portugezi tregoi arsyen përse zgjodhi Juventusin

Ka qenë një zgjidhje e lehtë. Juventus është një nga skuadrat më të mira në botë dhe shokët më kanë thënë gjithmonë se është një skuadër ku duhet të luaj. Është një hap i rëndësishëm për mua, pasi vij në një klub të madh, me një president dhe trajner të madh. Tashmë Juventusi është një sfidë e re për mua, që nuk kam dyshim se do të jetë e suksesshme, pasi të gjithë bashkë do të punojmë për t’ia dalë.

Ronaldo nuk la pa falenderuar edhe tifozët madrilenë.

“Dua t’i falënderoj të gjithë madrilenët, por tani duhet të përqendrohem në sfidën time të re. Jam ambicioz dhe nuk dua të mbetem në atë çfarë kam dhënë për futbollin, por dua të shoh përpara dhe të bëj akoma më shumë”.

Cristiano Ronaldo do të fillojë menjëherë stërvitjen me skuadrën e tij të re. Ambicia e tij është të jetë titullar që në javën e parë të kampionatit.

Tv Klan