Arrin kuotën 15 gola për sezonin e 15 radhazi

Cristiano Ronaldo vijon të jetë një makineri golash pavarësisht moshës së tij 35-vjeçare. Portugezi ishte fantastik në fitoren 3-1 që Juventus mori në fundjavë përballë Sassuolo, duke lënë shenjën e tij madje edhe me një rekord. Ronaldo mbylli llogaritë e takimit me golin e 3 në limitet e kohës së rregullt, duke shënuar kështu golin e 15 në këtë edicion.

Ronaldo u bë lojtari i vetëm që shënoi të paktën 15 gola në secilin nga 15 sezonet e fundit në pesë ligat më të mira të Evropës. CR7 e ka realizuar këtë kuotë që prej sezonit të largët 2006-2007. Marrja me delikatesë e topit fitoi edhe përgëzimet e trajnerit, Andrea Pirlo, i cili tregoi se skuadra varet nga loja e Ronaldos.

“Që prej fillimit jemi përpjekur të shfrytëzojmë Cristianon për karakteristikat, qartësinë dhe grintën e tij deri në fund të sfidës. A është ai vendimtar? Sigurisht, siç ishte kudo. Kur ke një kampion të tillë në ekipin tënd është normale të varesh prej tij”.

Me këtë fitore Juventus u ngjit në vendin e 4 me 33 pikë, 7 më pak se Milani kryesues dhe 3 nga Interi, rivali i tyre në takimin e radhës në Seria A.

Tv Klan