Takim 2 orësh, në fokus situata pas zgjedhjeve

Pas rezistencës së bërë nga Kryebashkiakja e Shkodrës për të mos ia pasuar stafetën pasardhësit të saj socialist Valdrin Pjetri, në zyrën e Voltana Ademit u ngjit ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt.

Problematikat dhe gjetjet e raportit paraprak të OSBE/ODIH-it për procesin e 30 Qershorit, si dhe kërkesa e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive ishin në qendër të takimit që zgjati për afro dy orë.

Ambasadori Borchardt u tregua tejet i rezervuar për median pas bisedës së zhvilluar me Kryebashkiaken Ademi, por nuk mohoi se pjesë e bisedës mes tyre ishin edhe zgjedhjet e dekretuara nga kreu i shtetit në 13 tetor.

Bernd Borchardt kreu i prezencës se OSBE:  Natyrisht që po. Ka qenë një takim dy orësh me kryebashkiaken, kemi folur për shumë gjëra.

Në Bashkinë e Shkodrës ende nuk është bërë rrotacioni i pushtetit dhe kalimi i detyrës tek kryebashkiaku i ri. Voltana Ademi është shprehur kundër lënies së zyrës, duke kërkuar madje edhe një komision ndërkombëtar si në vitin 1913 për të qeverisur qytetin, por ky propozim i saj i është refuzuar nga Ambasadori Austriak.

Tv Klan