Bllokimi që Franca dhe Holanda i bënë hapjes qysh tani të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe kërkesa për ta shtyrë me një vit këtë proces, sipas ministrit gjerman të Shtetit për Çështjet Europiane Michael Roth nuk lidhet fare me situatën që po kalojnë dy vendet e Ballkanit. Ai zbulon se në tryezë u hodhën argumente që nuk merrnin fare në konsideratë përparimin e bërë nga Tirana e Shkupi, por me pasiguritë që Parisi e Amstardami kanë për situatën e brendshme në Bashkimit Europian.

“Njëri prej argumenteve nuk kishte fare të bënte me gjendjen në Shkup dhe në Tiranë. Ai kishte të bënte me Bashkimin Europian që është i tronditur nga krizat, që është i zënë më shumë me hallet e veta. Ata shtrojnë pyetjen: A ia dalim dot në këto kohëra, kur na duhet t’i shpenzojmë të gjitha fuqitë për të rregulluar punët tona, që të zhvillojmë negociata ambicioze anëtarësimi. Mua nuk më bind ky argument”.

Megjithatë sipas Roth, Shqipëria ka shumë për të bërë në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

“Shqipëria është bërë etalon me procesin e Vettingut për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe presim që procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe të prokurorëve më të rëndësishëm të dalë me sukses. Ky është njëri prej sektorëve. Nëse do të luftohet më me forcë edhe krimi i organizuar, atëherë kjo sigurisht që do ta rrisë besueshmërinë, sidomos te ato shtete që ende kanë rezerva”.

Thellimi në progresin e reformës në drejtësi, veçanërisht procesit të Vetting-ut, ishte një ndër pikat kyçe, të renditura në raportin përfundimtar të Këshillit Europian për Shqipërinë.

Tv Klan