Shuma mund të rritet deri në 650 milionë euro

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përzgjedhur kompaninë fituese, e cila do të këshillojë qeverinë në daljen në tregjet financiare për të emetuar Eurobondin.

“Rothschild&Co” është përzgjedhur si agjenti, i cili do të ofrojë asistencë teknike kundrejt vlerës 800 mijë dollarë, në menaxhimin e borxhit publik, sigurimin e fondeve të huamarrjes dhe vlerësimin e kostove dhe rrezikut të daljes në tregje.

Përzgjedhja e konsulentit i hap rrugë nisjes së procesit të daljes në tregjet ndërkombëtare në fund të Majit, ose në Shtator, në varësi të studimit se si do të jenë intereset në tregjet e huaja.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se shuma e Eurobondit mund të rritet deri në 650 milionë euro, nga 500 milionë që programohej fillimisht për dy arsye: goditja e tërmetit dhe situata me pandeminë e Covid-19.

Aktualisht mendohet që emetimi i Eurobondit të bëhet në bursën e Londrës. 300 milionë euro do të shkojnë për të rinovuar bondin e vjetër, ndërsa 350 milionë të tjera do të jenë huamarrje e re.

E gjithë shuma kërkohet për një afat maturimi nga 7-10 vjet. Kjo është hera e katërt që qeveria përdor si instrument për marrjen e borxhit daljen në bursa. Në 2017-n u arritën të siguroheshin 500 milionë euro kundrejt një interesi prej 3.55%.

Tv Klan