Shkon në 3 numri i të ndaluarve, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në afërsi të fshatit Dishnicë, ku pas një konflikti me sende të forta, gjeti vdekjen 23-vjeçari Marsel Osmani.

Ndalohet bashkëpunëtori i tretë i kësaj ngjarjeje, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” me pasojë vdekje, kryer në bashkëpunim.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, u bë ekzekutimi i vendimit penal për ndalimin e Angel Milçanit, 33 vjeç, banues në Korçë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, Olsi Zyberi, dhe Llazar Dine, (pronari i lokalit dhe truproja), kanë plagosur me sende të forta Marsel Osmanin, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe provat e grumbulluara, rezulton se bashkëpunëtor me dy shtetasit e mësipërm (të cilët janë ndaluar më parë nga Policia) ishte edhe Angel Milçani.

Një vit më parë, nëna e 23-vjeçarit të ndjerë, Adelina, e denoncoi rastin në emisionin investigativ Stop, në Tv Klan. Ajo përcolli pamjet në të cilat shihej se në përplasjen me të birin merrnin pjesë 4 persona, dy prej të cilëve ishin lënë të lirë.

/tvklan.al