Shefja e Financës në Poliklinikën e Ersekës, Kristina Stoja është dhunuar fizikisht nga kolegia e saj Dorina Tallo. Shkak për këtë përplasje dyshohet të jenë bërë bindjet politike.

55 – vjeçarja Stoja mësohet se është anëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Tallo, e cila mban detyrën e shefes së Burimeve Njerëzore në këtë Poliklinikë, thuhet se e ka kërcënuar 55 – vjeçaren Stoja me largim nga puna, nëse ajo nuk votonte Partinë Socialiste.

Debati mes dy grave ka degjeneruar në dhunë fizike. 30 – vjeçarja Tallo mësohet se e ka dhunuar fizikisht Stojën, duke i shkaktuar asaj shenja në fytyrë e duke i thyer syzet optike.

Për ngjarjen në fjalë, policia e Korçës, në një njoftim të sajin tha se ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për 30 – vjeçaren Tallo.

Procedimi ndaj saj filloi pas kallëzimit të bërë më datë 21.06.2017, nga shtetasja K.S, 55 vjeçe, banuese në Ersekë, me detyrë shefe Finance pranë kësaj Drejtorie, e cila ka deklaruar se shtetasja D.T, në ambjentet e Poliklinikës të qytetit të Ersekës, për motive të dobëta, e ka fyer dhe goditur në fytyrë këtë të fundit”,

thotë policia në njoftimin e saj./tvklan.al