Reshjet e dendura të shiut rikthyen ankthin e përmbytjeve në Gjirokastër. Në pikën turistike të Viroit, lumi doli nga shtrati. Uji përfundoi në rrugën nacionale, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.

Reshjet rrezikuan edhe bllokim të akseve në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” dhe aksin Gjirokastër–Kakavijë pranë varrezave të qytetit.

Moti i keq shkaktoi probleme edhe në Portin e Vlorës, ku u pezullua lundrimi i të gjitha mjeteve, si ato të transportit të udhëtarëve dhe anijeve të peshkimit.

Deti arriti forcën 8 ballë, ndërsa shpejtësia e erës shkoi deri në 30 metër për sekondë. Problematika ka patur edhe me furnizimin me energji elektrike në zonën e Dukatit dhe Llogarasë për shkak të erës së fortë.

Edhe në Portin e Durrësit u pezullua lundrimi i të gjitha mjeteve deri në përmirësimin e motit. Dy prej trageteve të nisura nga bari mbërritën me 3 orë vonesë.

Edhe zona e plazhit të Divjakës u bllokua për shkak të rrëzimit të disa pemëve. Moti i keq shkaktoi probleme edhe në kryeqytet duke rrëzuar pemë, madje dhe një shtyllë.

Moti i keq me reshje të dendura dhe erë në të gjithë vendin, parashikohet të zgjasë deri në mesnatë. Sipas sinoptikanëve, e diela do të sjellë më pak shi, por reshjet do të jenë prezente gjatë gjithë muajit Shkurt.

Edhe pse mendohet që Shkurti do të ketë temperatura më të larta se normalja, nuk do të mungojnë edhe ditë me temperatura disa gradë nën zero.

Tv Klan