Vëllezërit Shera: Na ngacmoi motrën dhe nënën

Abdulla Budlla u vra për shkak se dy vëllezërit Saimir dhe Arsil Shera pretendonin se u ngacmoi motrën dhe nënën. Këtë shpjegim dhanë dy të rinjtë në polici, ku pranuan se ishin ata ekzekutorët e 71-vjeçarit pasditen e 3 Gushtit në Fushë-Prezë. Tv Klan ka siguruar dëshminë e Saimir dhe Arsil Sheras, pak pasi ata u arrestuan nga policia.

Burime pranë uniformave blu thanë se fillimisht u mor informacion për një konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe vëllezërve Shera, pastaj u krye operacioni i arrestimit. Vëllezërve iu gjet edhe makina që kishin marrë me qira për të kryer vrasjen, ku u zbuluan provat që i lidhnin me ekzekutimin.

Para uniformave blu, Saimir dhe Arsil Shera thanë se u detyruan ta bënin për të mbrojtur nderin e familjes.

“E vramë për nder. Vinte te shtëpia jonë ngacmonte nënën. Më pas ka ngacmuar edhe motrën. E paralajmëruam me të mirë dhe të keq, ai sërish merrej me nënën dhe motrën. I kemi kërkuar të mos na binte më në qafë, për nderin e familjes. Nuk e falnim dot”.

Saimir dhe Arsil Shera u justifikuan duke thënë se disa herë e kishin paralajmëruar familjen Budlla, por siç duket 71-vjeçari vazhdonte të shkonte te banesa, ku edhe është kapur edhe nga djemtë. Dy vëllezërit Shera akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.

Tv Klan