Blerina Sulaj nuk takon fëmijët e saj që prej vitit 2015

“Historia ime” në TV Klan nën moderimin e Mirela Milorit ka përcjellë ditën e sotme historinë e fortë të një nënë e cila ka dy djem, por për fat të keq nuk i takon ata që prej vitit 2015. Blerina Sulaj u martua me një shqiptar, i cili nuk e zyrtarizoi kurrë lidhjen me të sepse ajo nuk e dinte, por ai kishte qenë i martuar.

Pa e ditur këtë detaj në jetën e tij, ajo largohet së bashku me të në Londër dhe aty fillon periudha e vështirë për të.

Për shkak të dhunës së ushtruar prej tij, nëna me 2 fëmijët largohet nga shtëpia dhe mbeti rrugëve të Londrës pa dokumente. Situata u bë më e rëndë kur shteti anglez jo vetëm i mori fëmijët, por e ktheu në vendin e saj të lidhur me pranga.

Ish- bashkëshorti, duke pasur të drejtë qëndrimi në Angli, mbajti fëmijët dhe nuk e lejon që t’i takojë. Kjo nënë e dëshpëruar ka bërë thirrje për ndihmë dhe kërkon të bashkohet me fëmijët e saj.

Të ftuar në studio për rastin e paraqitur kanë qenë: Sevim Arbana aktiviste e shoqërisë civile dhe presidente e shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare” që nga viti 1993, Jodan Daci avokat, Brunilda Laboviti psikologe.

Blerina: Jam martuar në vendin tim sipas traditave tona, me burrin që është shqiptar..

Mirela Milori: Ti je nga ..?

Blerina: Nga Kukësi dhe bashkëshorti po ashtu. Ai u largua se jetonte në Angli, unë jetova me familjen e tij këtu në Tiranë rreth një vit. Pastaj më mori dhe mua atje. Kam shkuar në 1 qershor të vitit 2012.

Mirela Milori: Si shkove në Angli?

Blerina: Shkova me kartë identiteti italiane, nga Italia në Angli.

Mirela Milori: Me letra false pra?

Blerina: Po! Pasi shkova në Angli ai nuk më mori ku jetonte, nuk më jepte arsye por më tha që do rrija tek motra e tij. Kur shkova tek banesa e tij jetoja e mbyllur, nuk isha e lirë të dilja jashtë. Mora vesh që kishte jetuar me gruan që kishte patur në shtetin anglez. Unë e dija se ishte i divorcuar, por ai kishte vazhduar të jetonte njëkohësisht deri në momentin e fundit kur më mori mua.

Mirela Milori: Si ishte marrëdhënia jote me të?

Blerina: Unë u xhindosa kur e kuptova. Pastaj filluan problemet tona.

Mirela Milori: Erdhi fëmija i parë në jetë.

Blerina: Kur ishte djali 6-muash, mora vesh që kisha mbetur shtatzënë me fëmijën tjetër. Nuk e dija si do ja bëja sepse e kisha vendosur nuk do jetoja më me atë. Marrëdhënia jonë ishte e përkeqësuar edhe mbas lindjes së djalit tjetër. Ushtroi dhunë ndaj meje dhe më vonë tentoi të më vriste me thikë dhe mora vendimin që duhet të iki nga shtëpia dhe të arratisem. Mora dy fëmijët e mi dhe ika nga shtëpia. Shkova në komisariat, tregova problemin që kisha dhe atë natë më strehuan në hotel. Filluan intervistat e njëpasnjëshme. Më thanë nuk të ndihmojmë dot, se ti je ilegale. Ne si shtet njerëzit pa dokumente s’i strehojmë dot.

Mirela Milori: Ç’ndodhi më pas?

Blerina: Më dhanë 3 alternativa. Nëse ti je e zonja e vetes që në këtë shtet të marrësh një banesë dhe të jetosh me fëmijët e tu duhet të punosh. Jo se nuk doja të punoja, por e kisha djalin 3 muajsh të voglin dhe të madhin 1 vjeç.

Mirela Milori: Pra të dhanë 3 alternativa?

Blerina: Nëse ke mundësi në shtetin anglez të të ndihmojë dikush dhe nëse të ndihmon familja jote. Ishin mundësi të pamundshme dhe ndryshe fëmijët e tu do ja çojmë të atit se ti je e zonja e vetes dhe mund të rrish dhe në rrugë, kurse fëmijët nuk i lemë dot në rrugë.

Mirela Milori: T’i morën fëmijët?

Blerina: M’i morën fëmijët pa dëshirën time, ma morën djalin nga krahët, me forcë, me duart e lidhura.

Mirela Milori: Sa ndenje në Britani në këtë gjendje, që fëmijët t’i morën dhe ishe e vetme?

Blerina: Kryqi i Kuq më gjeti një strehë në një kishë. Shkova tek zyrat e emigracionit që ndihmojnë se nuk dija ku të kërkoja, por s’më dhanë asnjë lloj mundësie.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi pas kësaj?

Blerina: Më arrestoi policia më çoi në burg.

Mirela Milori: Sa ditë?

Blerina: Dy ditë në burg.. Më pas më kanë marrë me detyrim, kanë qenë 4 veta, dy meshkuj dhe dy femra dhe më kanë lidhur për duarsh dhe këmbësh dhe më kanë çuar në aeroport për të më kthyer.

Mirela Milori: Ke ardhur në Shqipëri e lidhur me pranga?

Blerina: Po po, e lidhur me pranga… /tvklan.al