Rrëfimi i amerikanes që u dashurua me shqiptarin: Pse braktisa Amerikën për Shqipërinë



Rrëfimi i amerikanes që u dashurua me shqiptarin: Pse braktisa Amerikën për Shqipërinë

14:30 10/07/2020

Elizabeth Grezda është amerikane, por është zhvendosur në Shqipëri pas njohjes me shqiptarin që sot është bashkëshorti i saj. Ata kanë 4 fëmijë, 3 janë fëmijët e tyre biologjikë, ndërsa njëri prej tyre është i birësuar.

Elizabeth rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e tyre të veçantë të dashurisë dhe vendimin për të qëndruar në Shqipëri.

Ata ishin njohur në Shtetet e Bashkura të Amerikës, kishin filluar një miqësi të bukur së bashku, por kishin synime të ndryshme në jetë. Elizabeth shkoi në Nepal, ndërsa Niku u kthye në Shqipëri.

Pavarësisht se vendosën thjesht të ishin miq, Elizabeth nuk mund ta hiqte dot nga zemra. Ajo udhëtoi drejt Shqipërisë, takoi Nikun, familjen e tij dhe njerëzit në kishën ku ai shkonte. Pas vizitës në Shqipëri, gjërat morën një tjetër drejtim.

Mirela Milori:  U bë ky email dhe ti u qetësove dhe ai u qetësua dhe ju vazhduar një histori miqësie. Si erdhën rrethanat që u lidhët të dy?

Elizabeth Grezda: Më pas shkova në Nepal, thashë të bëj diçka atje që tani më iku kjo ideja. Nuk më hiqej nga zemra si person Niku. Edhe kisha menduar që do shkoja një ditë, shlyeva detyrimet e mia të shkollës, me punën që bëra, mbajta lekët për një biletë në Shqipëri, për të parë Shqipërinë edhe për të parë nëse kishte ndonjë mundësi tjetër. Ndoshta është kjo puna që dashuria e parë nuk hiqet kollaj nga zemra. Erdha tek shtëpia, tek prindërit, më përqafuan.

Mirela Milori: Të pritën shumë mirë?

Elizabeth Grezda: Janë shumë të dashur si familje, shumë korrekte të dy mësuesit. Edhe unë në atë kohë kisha dalë mësuese dhe na lidhën shumë gjëra. Edhe gjuhën e kapa shumë shpejt. Për dy javë isha atje për vizitë dhe e kuptova. Bashkë me kishën e Nikut, ata ishin shumë të impresionuar dhe thanë: Niku mos e lër këtë gocën.

Mirela Milori: Niku themeloi këtu një kishë?

Elizabeth Grezda: Jo, ai erdhi për t’u bërë pjesë e një kishe. Pastori i kishës, ne i takuam të gjithë dhe ata ishin dakord dhe na dhanë një ide se si mund të ishte një jetë së bashku, sepse më përpara nuk e kisha një ide. Ishte shumë gjë e bukur të shikoja Nikun në Shqipëri, Niku duke qeshur, duke bërë muhabet në shqip është shumë ndryshe nga Niku në Anglisht.

Mirela Milori: Si të thuash ishte jo një dashuri me shikim të parë, por një dashuri që erdhi natyrshëm, tek një vendimmarrje për t’u martuar dhe për të krijuar familje?

Elizabeth Grezda: Po!

Mirela Milori: Sa vjeç ishit kur u martuat?

Elizabeth Grezda: Ne u martuam 25 vjeç!

Mirela Milori: Kur erdhi në jetë fëmija i parë?

Elizabeth Grezda: Mbas 2 vitesh martesë!

Mirela Milori: Është djalë?

Elizabeth Grezda: Po djali Danieli. Më pas vjen Abigel. Ndërkohë kemi një fëmijë që ne kemi marrë në familjen tonë jo zyrtarisht, por quhet Gazi. Ai vinte tek kisha jonë dhe ne pamë që ishte pa familje, ishte pa njeri dhe unë thashë: O Nilku ne duhet të bëjmë një gjë për Gazin, duket shumë i vetmuar, është tek “ Zyber Hallulli”, nuk e dimë si e ka historinë, por ai ka nevojë për një mbështetje. Për të birësuar nuk e kisha idenë në atë moment, por thashë të bëjmë diçka. Ai tha edhe unë kam qenë duke e menduar. Nisëm hapat duke e marr në shtëpi, vinte dhe u bë pjesë e familjes tonë.

Mirela Milori: Sa vjeç ishte Gazi?

Elizabeth Grezda: Ka qenë 16- 17 vjeç !

Mirela Milori: Pra Gazi ka prindërit biologjikë, por është pjesë e familje tuaj, pra është si vëlla për fëmijët e tu të tjerë?

Elizabeth Grezda: Po!/tvklan.al




Të ngjashme