Një 56-vjeçar thotë se “vdiq” tre herë ndërkohë që luftonte koronavirusin në kujdes intensiv. Carl Young nga Anglia e mposhti sëmundjen në spital, pasi u vendos në koma të induktuar dhe në ventilim për 12 ditë. Babai i 4 fëmijëve tanimë përballet me një periudhë 2 vjeçare rikuperimi nga Covid-19.

Në një rrëfim të përcjellë nga e përditshmja britanike Mirror, 56-vjeçari thotë se arriti të mbijetonte vetëm falë stafit të mrekullueshëm të spitalit. Mjekët i thanë se ishte një “mrekulli” që kishte mundur të mbijetonte.

“Infermierja më tha se vdekja kishte ardhur për 3 herë dhe e luftova. Ajo më tha ‘e di që në fakt vdiqe 3 herë'”, tregon Young.

“Ajo çfarë bënë për mua ishte e pabesueshme, nuk gjej fjalë të mjaftueshme për t’i falenderuar. Janë të mrekullueshëm. Jam ende shumë i dobët dhe sigurisht shumë larg nga të qenit mirë. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Mjekët më kanë thënë se do të më duhen deri në 2 vjet për t’u rikuperuar plotësisht. Por jam kthyer në shtëpi me partneren time që e dua shumë”, rrëfen 56-vjeçari.

Young vuante nga sëmundje të tjera, përfshirë nga sëmundje të mushkërive e diabet të tipit 2, të cilat ishin nën kontroll me medikamente. Megjithatë ai nisi të ndihej keq më 23 Mars, me temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe pak kollë, por nuk ishte aq keq sa të mendonte se ishte prekur nga Covid-19.

Megjithatë pak ditë më vonë nisi të kishte probleme me frymëmarrjen dhe në këtë pikë telefonoi emergjencën.

“Nuk di asgjë se çfarë ndodhi me mua, përveç asaj që më kanë treguar”. Young thotë se ndihet 10 vjet më i plakur dhe se flokët iu thinjën brenda natës. Ai ra gjithashtu shumë në peshë dhe tani lëviz me ndihmën e patericave.

Bashkë me partneren e tij qëndron aktualisht i izoluar në shtëpi. 56-vjeçari kërkon nga njerëzit që të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të respektojnë rregullat, pasi ky virus është shumë i rrezikshëm./tvklan.al