Viktima Lefter Zhidru, 71-vjeçari që u vra nga RENEA më 24 Shtator në Elbasan, ka patur një proces gjyqësor me një fqinjin e tij në pallatin ku banonte.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus shkoi në Elbasan dhe intervistoi personin në fjalë.

Komshiu që banon një kat më lart banesës së 71-vjeçarit të ndjerë, ka rrëfyer për gazetarin Koka konfliktin që ai kishte me Lefter Zhidrun.

Sipas dëshmisë së tij, 71-vjeçari i ndjerë kishte tentuar ta vriste në vitin 2018 në shkallët e pallatit me një armë të ftohtë. Disa ditë më vonë, bashkëshortja e Zhidru kishte bërë denoncim në polici për fqinjin, me pretendimin se e kishte ngacmuar.

“Në vitin 2018 unë kam bërë një denoncim në polici për kanosje me armë të ftohtë. Ka qenë Lefter Zhidru. Unë po vija për lart. Ka qenë me një ele hekuri. Ka dashur të më godiste në pjesën poshtë barkut. Më ka thënë vetëm kaq: E para kush je ti? I kam thënë ç’të duhet ty kush jam unë. E kam bllokuar, kam qenë në kushtet e vetëmbrojtjes. Ka dalë e shoqja, e ka ndihmuar, këtu kanë qenë të dy, kanë dalë të dy. Ka ardhur ajo e ka ndihmuar. Ka ardhur policia. Në cep ka qenë mjeti që mua më ka kërcënuar. I kam thënë merreni atë se ajo është arma që mua më ka kërcënuar. Nuk është marrë. Pas 2 ditësh, bashkëshortja e tij shkon në polici dhe ngre një padi kundër meje. Motivi thotë që i kam prishur marrëdhëniet familjare”, thotë ai.

I pyetur nga gazetari Spartak Koka për sasinë e municionit dhe kallëpeve të tritolit që Lefter Zhidru kishte brenda banesës, komshiu mohon që të kishte dijeni për këtë fakt. /tvklan.al