Aktori Julian Deda rikthehet sërish në Televizionin Klan këtë herë në programin më të ri të humorit “Duplex”. Juli nuk do të ketë vetëm rolin e aktorit që do të interpretojë në skenë, por ai mban dhe postin e Drejtorit Artistik. Në një intervistë për tvklan.al, aktori rrëfen se mezi po pret nisjen e sezonit, pasi ky nuk është vetëm një program i ri por edhe publik i ri për ta.

Një sezon krejtësisht ndryshe për ty, pas shumë vitesh rikthehesh në Tv Klan. Mendon se ky ambient i ri do të ndihmojë në të tjera arritje në karrierë për ty si artist?

Po, është e vërtetë është një sezon ndryshe. Unë jam një ish-punonjës i televizionit Klan. Kam punuar para 9 vitesh tek “E diela shqiptare” së bashku me Ardit Gjebrean. Dhe tani ne kthehemi me një projekt tjetër, që besoj se edhe Tv Klan ka kohë që e kërkon, një spektakël të mirëfilltë humori. Për mua është një kënaqësi të rikthehesh në Tv Klan, pasi është një familje e madhe dhe më një audiencë të shkëlqyer. Besoj se çdo gjë do shkojë mirë. E vetmja frikë është e imja që s’ka të bëjë me Tv Klan është që ne të ruajmë marrëdhënien që kemi me publikun tonë, me publikun e “Duplex” tashmë sepse është një format që kërkon gjithmonë një intimitet, familjaritet me publikun që është në sallë dhe atë që na ndjek nga shtëpia. Televizioni Klan për mua nuk është një ambient i ri, por rikthim, por padiskutim që hapësira televizive dhe audiencën që ta garanton Tv Klan është një spunto dhe një derë e hapur e madhe pse jo dhe për të eksperimentuar në formate dhe programe të tjera. Ne jemi profesionistë dhe kemi primarë “Duplex”, por nuk do vemë barriera apo mur. Unë personalisht jam i hapur dhe do doja shumë të kisha bashkëpunime jo eksperimentale, por që godasin në zemrën e publikut dhe Tv Klan ta jep këtë mundësi.

“Duplex” po pritet me shumë interes në publik. Do e justifikoni këtë pritje?

Të gjithë po e presin më padurim “Duplex” dhe unë mezi po e pres. Qoftë edhe për kuriozitet si do shkojmë, por absolutisht “Duplex” dhe stafi jonë po punon pafund që ky spektakël ti plotësojë pritshmëritë e tija. Unë besoj se dhe ne do të jemi në lartësinë e pritshmërive. Ka një ndezje motorash të parakohshme, nuk para na ka ndodhur më përpara, por duke pasur parasysh se kemi ndërruar vend dhe televizion, duhet të kemi një qasje tjetër sepse është një publik tjetër, në kuptimin historik të televizioneve.

Në Klan punojnë edhe shumë ish kolegë dhe miq të tu, ndaj publiku është pak kureshtar. A do ketë sërish një miqësi treshe mes teje, Ermalit dhe Gentit?

Në Klan nuk punojnë vetëm ish-kolegët e mi, këtu punojnë edhe shumë personalitete të televizioneve në Shqipëri. Është një televizion i madh ku punojnë ata që kanë bërë emër, histori, kanë jetuar me histori. Në njëfarë mënyrë dhe unë ndihem i privilegjuar që jam këtu. Padiskutim pjesë e kësaj historie janë edhe dy kolegët e mi. Tre emisionet tona nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin, përkundrazi plotësojnë programacionin e një televizioni të përbashkët. Kështu që unë me Ermalin ndajmë të njëjtën ditë, që është e shtuna. Të mos na dali njëri përpara të shtunën, ajo është e imja dhe e Ermal Mamaqit, për ditët e tjera nuk mbaj përgjegjësi. Interesit tuaj nëse do të ketë bashkëpunim ne mes ne të treve unë e kam thënë edhe më parë, unë nuk them kurrë, kurrë. Por, sigurisht bashkëpunimi duhet të vijë sepse e ndjejmë, jo të vijë për hir të diçkaje tjetër. Deri sa ta ndjejmë, ka kohë për atë ditë.

Në reklamë duket se rolin kryesor në “Duplex” e ke ti. Sa e vërtetë është?

Jo vetëm në reklamë, por edhe në një lloj ndarje hierarkike që kemi, unë jam Drejtori Artistik i “Duplex”. Padiskutim jam dhe personazhi më i vjetër i shfaqjes dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi mua. Por kjo nuk do të thotë se aktorët e tjerë nuk kanë po një lloj përgjegjësie. Suksesin dhe dështimin do i ndajmë bashkë. Por është e vërtetë për shkak të viteve dhe eksperiencës që kam një lloj shtesë në përgjegjësitë që ndajmë. Është e vështirë, është e  sikletshme, por është gjithsesi e bukur, sepse kur të shpërblehet me rezultate të mira nuk do t’ja dish farë nëse është barrë apo diçka tjetër. Sido që të ishte do të ishte e vështirë, edhe sikur të jesh personash kryesor, apo episodik sepse në një shfaqje si “Duplex” të gjithë kanë peshën e vet. Duke filluar që na Turi, i cili është producent, që është drejtuesi i urdhrave dhe formulës së spektaklit, duke vazhduar tek unë, aktorët, punëtori, djali apo vajza që punon në prapaskenë. Secili ka përgjegjësinë, meritën e vet, apo do haje dhe vërejtjet e veta. Unë do e mbaj për vetë peshën që më është dhënë.

Mendon se televizioni vazhdon ta ketë magjinë e tij në famën dhe suksesin e një artisti?

Nganjëherë kam menduar se televizioni ka filluar të çedojë në shikueshmërinë në përgjithësi dhe kam menduar se shqiptarët sa vinë dhe largohen nga televizioni si ekran. Por me rastin e fundit që ishte ai i blerjes së dekoderave, aty kuptova sesa njerëzit shohin, konsumojnë televizion. Absolutisht media, televizioni është një trampolinë shumë e mirë, qoftë për famë, për të krijuar personalitet në fushën mediatike. Por nuk duhet të harrojmë se ashtu siç të ngre ashtu, dhe të hedh. Unë e konsideroj veten me fat përveç punës që kam bërë. E konsideroj veten me fat, që kam mbijetuar në këtë treg. Kështu që televizioni ngelet një nga hallkat, fushat, abitatet më të mira për të shfaqur veten dhe për të krijuar një profil tëndin mediatik.

“Duplex” do të shfaqet për publikun ditë e shtunë, një orar mjaft i lakmuar dhe i ndjekur. A ndiheni më me shumë përgjegjësi para këtij fakti?

Përsa i përket ditës së transmetimit absolutisht e shtuna është dita më e mirë dhe ora 20:05 është orari më i mirë i javës kur mund të shfaqet një emision humori. Për shumë arsye, sepse teleshikuesit janë pushim, kanë kohë të merren të shohin televizion. Është orari para se njerëzit të dalin të dëfrehen, është orari më komod për të parë televizion. Ne na kënaq si orar dhe ditë, por dhe na ve para përgjegjësive sepse të gjithë janë sy e vesh tek ne. Do përpiqemi ta justifikojmë ditën dhe  orarin. Të shtunën nga ora 20:05 deri në orën 23:00 ka “Dublex” dhe “Xing me Ermalin” , kështu që televizionet e  tjera të mos lodhen fare.

A do të jetë “Duplex” “aperitivi” i mbrëmjes për çdo familje shqiptare? A është një format i përshtatshëm për fëmijë?

“Duplex” do jetë dhe aperitiv dhe darkë edhe pse s’më pëlqen darka si vakt se të shëndosh (Qesh). Por do jetë një aperitiv shumë i mirë për shqiptarët, pa shumë banalitete, do përpiqemi ta kullojmë edhe humorin. Ndonjëherë duhet ti kërkojmë ndjesë publikut sepse dhe e shkelim. Por kjo vjen si pasojë e një pune të vazhdueshme, javë për javë. Sot që po flasin bëhen 14 vjet, që jam  javë për javë pa shkëputje që unë jam i pranishëm në prime-time në televizione të ndryshme. Spektaklin tonë “Duplex” do ta shohin të gjithë familjet me fëmijët. Unë jap fjalën time që do jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim.

Gjithmonë mundohesh të japësh mesazhe sociale për familjen, duke vënë në pah dhe raportin tënd familjar. Duket një tablo perfekte e lumturisë? Ndihesh i realizuar në këtë aspekt?

Po është e vërtetë unë e kam krenari familje, e promovoj jo se është e imja, por familjen si koncept, familjen tradicionale dhe ku ka më bukur, pse mos shohim familje të lumtura me njëra-tjetrën. Ideja është që të mos rrijë tek fotoja, sepse është një koncept, por e qeshura,  përqafimi e puthura e cila duhet të jetën e përditshme sepse nuk është vetëm një foto dhe pastaj ndahen në dhoma të vetme. Familja është investimi më i madh që mund të ketë njeriu në jetë. Uroj që çdo familje shqiptarë të ketë harmoni dhe lumturi.

E mendon Juli një pjesëtar të ri në familje?

Nuk po mendojmë për një pjesëtar të ri në familje. Për momentin po përpiqem të qetësoj, të bëj normalë këto dy që kam sepse janë jashtë normales. Kanë kujt ti ngjajnë.

Nuk po mendojmë asnjë gjë të re për familjen tonë. /tvklan.al