Emisioni “Stop” transmetoi këtë të martë dhunën kafshërore ndaj një gruaje dhe gjithçka e filmuar në video. Por çfarë ndodhi pas denoncimit të zonjës së rrahur nga ish-bashkëjetuesi? Zonja tregoi se pas denoncimit, ish-partneri, Ervin Hysolli, u shoqërua në komisariatin numër 3, ku u mbajt vetëm dy orë dhe më pas u la i lirë.

“Ka ardhur nëna e tij, motra e tij dhe më kanë thënë bëj kujdes se është durim mashkulli. Më ka dalë përpara me makinë. Ka qenë me prindërit. Kam ikur me vrap. Më ka shtyrë, më ka marrë djalin dhe i kam thënë “e di që e ke thyer urdhrin e mbrojtje”. Kujtova se ma mori djalin në atë moment, por nga ideja se mora telefonin në dorë, dhe vendosa numrin e policisë, por nuk e bëra sepse kam pasur frikë, kam pasur pasiguri. Mendoj se edhe unë do përfundoj në një kanal si të gjitha femrat që përfundojnë. Në atë çfarë kam përjetuar unë, besoj se ai person është i aftë që të më vrasë. Nuk dua që të përfundoj me disa plumba në trupin tim sepse kam dy fëmijë”, tregoi mes lotësh gruaja.  

Prokuroria, që gjykoi masën e arrestit, vendosi në shkelje me Kodin Penal, hetimin në gjendje të lirë të Ervinit. Ndërkohë gjykata u mjaftua vetëm me një urdhër mbrojtjeje, që u dha në datën 3 Mars për një vit. 

Arjana Muçaj, Pedagoge e psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale shpjegon, se kjo ngjarje do të ketë pasoja, tek djali adoleshent, që mund të kthehet në një të rritur të dhunshëm.

“Ky është një fëmijë që do të rritet me traumë, do të marrë ndihmën e duhur nga profesionistë të fushës. Ai ka një model me të cilin përballet çdo ditë. Është modeli i dhunës dhe në të ardhmen mund të jetë një njeri i dhunshëm, por mund të jetë edhe një adoleshent i dhunshëm, sepse e shikon dhunën si një mjet për të dalë nga situata”, u shpreh psikologia.

Ajo thotë, se nëna dhe dy fëmijët kanë nevojë për ndihmë, pasi një urdhër mbrojtjeje nuk mjafton. Sipas Muçajt duhet, që institucionet të reagojnë, për të shmangur tragjeditë.

“Institucionet të bëjnë detyrën e tyre. Mirë është të kuptojnë që dhuna në familje është prezente, do të jetë prezente, por ne duhet të dimë si ta shmangim dhe ta reduktojmë atë, në një farë mënyre ta paralajmërojmë atë”, tha psikologia./tvklan.al