Banka e Shqipërisë ka vendosur që të miratojë një rregullore të re, e cila do t’i detyrojë bankat që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për individët apo kompanitë që janë të ekspozuar me kredi në më shumë se një bankë.

Shkak për hartimin e këtij akti mësohet se janë bërë konfliktet mes disa bankave për vjeljen e kësteve të personave që janë të klasifikuar si kreditorë problematikë, në kohën që më shumë se 1 bankë nxirrte pretendime për marrjen e parave apo sekuestrimin e kolateralit.

Rregullorja e re do të detyrojë që të gjitha palët, si bankat edhe individi, të firmosin një marrëveshje me njëri-tjetrin për rikuperimin e kredisë dhe shlyerjen e saj duke zgjatur afatin, ndërsa të drejtën për të marrë këstin do ta ketë banka me ekspozimin më të madh, ajo më pas do të shpërndajë kredinë në bankat e tjera.

Akti që pritet të miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore do të shërbejë po ashtu që të mos lejojë më raste ku persona dhe biznese të ndryshme merrnin shuma të konsiderueshme në disa banka. Rregullat nuk do të lejojnë kapërcimin e një kufiri maksimal të huasë që do të jepet mbi të ardhurat që ka individi.

Deri më sot bankat kanë patur rregullat e tyre në lidhje me ekspozimin e rrezikut të personave që kanë kredi në banka të tjera, por këto rregulla nuk ishin të unifikuara për të gjithë. Kjo është dhe një nga arsyet se përse katër vjet më parë kreditë me probleme arritën në 30% të totalit të kredisë së dhënë nga bankat tona, ku 35 korporata të mëdha kishin më shumë se gjysmën e huave të këqija.

Tv Klan