Test për Covid-19 jo më pak se 72 orë më parë

Prej sot ka hyrë në fuqi vendimi me të cilin shtetasit e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës gjatë hyrjes në Maqedoninë e Veriut duhet të paraqesin testin PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Autoritetet shëndetësore sigurojnë se kjo masë restriktive është bërë për shkak të situatës epidemiologjike në këto vende. Ministri Filipçe tha se nuk do të ketë probleme nëse edhe Kosova kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë.

“Një përqindje e madhe e testeve të kryera janë pozitive, që do të thotë se virusi në këto vende është shumë i përhapur. Në mënyrë plotësuese janë edhe informacionet se repartet e spitaleve janë të mbushura në më shumë qytete. Mendoj se absolutisht nëse dikush mendon se gjendja epidemiologjike në vendin tonë është e atillë që duhet të ketë teste PCR kjo është politikë kombëtare. Ne këtë e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tonë”.

Për momentin, siç njoftojnë autoritetet, shanset që Bashkimi Evropian nga muaji i ardhshëm t’i hapë kufijtë për shtetasit e Maqedonisë së Veriut janë të vogla, sepse shkalla e infeksionit ende është shumë më e lartë se limiti evropian, 20 persona në ditë.

Tv Klan