Pandemia e Covid-19 pritet të sjellë arnime në rregulloret e futbollit. Pas kërkesës në FIFA që me rifillimin e sezonit çdo skuadër të bëjë 5 zëvendësime nga 3 që janë aktualisht, Premier League angleze mund të përballet me të tjera ndryshime në lojën më të magjishme në glob.

Drejtuesit më të lartë të Premier League po vazhdojnë të studiojnë një protokoll efektiv për të rifilluar të luhet futboll, pavarësisht kaosit të shkaktuar nga virusi.

Sipas mediave britanike në mesin e masave të sigurimit të parashikuara do të jetë ndalimi për të pështyrë në tokë gjatë ndeshjes dhe shkëmbimi i fanellave midis lojtarëve.

Gjithashtu, për të ruajtur shëndetin e sportistëve, Federata mund t’i vendose si detyrë skuadrave që të sigurojë shishe uji për secilin pjesëtarë të stafit dhe futbollistët, pra të personalizuar.

Pas pandemisë dhe goli nuk do të shijojë si më parë. Lojtarët pritet të ndalohen që të festojnë duke përqafuar njëri-tjetrin. Gjithçka pritet të miratohet menjëherë sapo të merret vendimi për rifillimin e kampionatit, vendim që pritet të vijë në ditët e ardhshme.

Rregullorja besohet se do të jetë në fuqi për 12 muaj, çka tregon edhe njëherë ndikimin e fortë që ka shkaktuar pandemia në futbollin botëror.

Tv Klan