Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Prej pak javësh në Kosovë aplikohen rregulla të reja të komunikacionit, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm mbi trafikun veçanërisht në Prishtinë. Mosrespektimi i rregullave tani gjobitet me shuma relativisht të larta, çka ka bërë shoferët kosovarë të jenë më të kujdesshëm në timon. Rregullat e reja të qarkullimit të vëna nga policia e UMNIK-ut disa muaj më parë, kanë përmirësuar ndjeshëm trafikun në Kosovë.

Shtimi i numrit të policëve të Kosovës dhe rritja e gjobave, ka ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve. Vetë zëdhënësi i policisë së UMNIK-ut, Charli Jonson sqaron, se rregullat e reja të qarkullimit janë vënë pak javë më parë dhe që në fillim kanë dhënë rezultatet e para. Ditët e fundit në Kosovë shërbejnë më shumë patrulla të policisë vendase, të cilat përfitojnë terren në kryeqytet.

Ndryshimi i rregullave të trafikut ka sjellë reagime dhe tek shoferët. Vetëm për mosvënien e rripave të sigurimit, shoferi do të paguajë 70 marka, ndërsa pasagjeri 50 marka. Megjithatë shoferët kosovarë duket se bien dakord me këto rregulla. Gjithsesi është e rëndësishme që përdorimi i automjetit që këtej e tutje të përdoret edhe për të kursyer kohë./tvklan.al