“Dozat e saj nuk kane asnjë lidhje me mpiksjen e gjakut”

Agjencia Evropiane e Barnave i ka dhënë vulën përfundimtare debatit për vaksinën e AstraZeneca duke deklaruar se ajo është e sigurt dhe efektive. Në një konferencë të zhvilluar online pasditen e së enjtes, EMA i ka dhënë dritën jeshile vijimit të procesit të vaksinimit në të gjithë Evropën.

“Vaksina e AstraZeneca është e sigurt dhe efektive. Ajo ndihmon në mbrojtjen nga COVID-19. Studimet tona tregojnë se shkalla e efektshmërisë është më e lartë se ajo e raportuar pasi ne bëmë një rishikim të shpejtë për këtë çështje”.

Kreu i Agjencisë evropiane te Barnave u shpreh e sigurt se nga verifikimet e bëra nuk ishte gjetur asnjë lidhje mes vaksinës së AstraZeneca dhe rasteve të tromboembolive të njohura si mpiksje e gjakut.

“Nga të gjitha verifikimet tona nuk rezulton se ka një lidhje mes vaksinës dhe trombeve të gjakut. Rastet e trombozave pas marrjes së vaksinës AstraZeneca janë më të ulëta se ato që ndodhin në popullatën e pavaksinuar. Megjithatë ne do të vazhdojmë të studiojmë rastet për të kuptuar më shumë. Ne do të vazhdojmë të jemi vigjilentë”.

Pas vendimit të EMA ka reaguar menjëherë Italia. Kryeministri Mario Dragi njoftoi se vaksinimi me AstraZeneca do të rinisë menjëherë të premten. Ky hetim erdhi pasi 13 vende evropiane pezulluan përdorimin e vaksinës, pas raporteve të një numri të vogël të rasteve të mpiksjes së gjakut.

Vendet më të mëdha të BE thanë se do të rinisnin menjëherë vaksinimin sapo të publikohej rezultati i EMA dhe se pezullimi ishte një masë paraprake. Edhe OBSH pritet të publikojë të premten rezultatet e saj pas rishikimit të sigurisë e vaksinës.

Tv Klan