Ambasadori i BE-së në Shkup edhe njëherë përsëriti se rregullativa e përgjithshme e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale siç janë ato etnike, fetare dhe të ngjajshme, e ndalon shpërndarjen e këtyre të dhënave nëpër letërnjoftime, ndërsa Legjislacioni i Maqedonisë së Veriut, si vend që pretendon anëtarësimin në BE, do të duhet të harmonizohet me rregullat dhe standardet evropiane.

“Për zgjidhjen ligjore relevante, më duhet të them se kjo bie në pjesën e mbrojtjes së të dhënave të përgjithshme dhe është shumë e rëndësishme në procesuimin e atyre informacioneve në BE, që përfshin përkatësinë etnike dhe fetare ose elementet e tjera, për momentin në BE, janë të ndaluara. Por për momentin në BE do të vazhdohet të shqyrtohet çështja, po rregullohet individualisht nga çdo vend anëtarë, megjithatë nga muaji gusht, pritet një direktivë e tillë të miratohet në nivel të BE-së dhe të vlen për të gjitha vendet anëtare individualisht ”

Për kryeministrin Zoran Zaev është mirë që edhe partitë e tjera janë në një linjë për të drejtën e përcaktimit të përkatësisë etnike në letërnjoftime, megjithatë këtu ekziston një “por”, pasi vendi kandidat për anëtarësim në BE do të duhet që të harmonizojë legjislacionin vendor me rregullativën evropiane dhe vendimet do të sillen varësisht prej vendimeve që i sjell Bashkimi Evropian.

“Mua më vjen mirë që edhe partia më e madhe opozitare por edhe partitë e tjera, janë në një linjë, për të drejtën e përcaktimit që qytetarët të shprehen nëse duan që në letërnjoftimet e tyre të kenë edhe përkatësinë etnike. Por si vend kandidat për anëtarësim në BE, imperativ çdo herë është harmonizimi i legjislacionit vendor me rregullativën evropiane. Kështuqë në gusht, ose kurdo që të ndodh që BE të debatojë lidhur me këtë çështje, edhe ne do të kyçemi, gjithësesi në fund i ndjekim të gjitha vendimet dhe rregullativat evropiane”.

Kujtojmë se ligji për letënjoftime i propozuar nga Lëvizja BESA ndodhet në procedurë kuvendore, por është bllokuar me mni 1000 amendamentet e dorëzuara nga partia “E Majta”. Kundër këtyre ndryshimeve është presidenti Pendarovski, pasi vlerëson se përkatësia etnike nuk ndodhet në asnjë demokraci në botë. Për kryeministrin Zaev nuk ka aspak problem, pasi siç thekson, vendi ynë është multietnik dhe është e drejtë e qytetarëve që përkatësinë e tyre etnike ta vendosin në letërnjoftimet e tyre. Pro këtyre ndryshimeve është edhe partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, të cilët nuk e kundërshtojnë grafën për përkatësi etnike, por janë kundër emrit të ri të shtetit. Pro këtyre ndryshimeve janë edhe partitë tjera shqiptare.

Klan Macedonia