Kozak Braçi, i njohur ndryshe si “mbreti i Instagramit”, u rrëmbye këtë të enjte në Tiranë. Pak orë më pas, policia e kryeqytetit njoftoi se kishte arritur ta gjente Braçin dhe e kishin shoqëruar atë në ambientet e Komisariatit, për të dhënë deklarimin në lidhje me ngjarjen.

Gjithashtu, policia tha se ishte bërë i mundur identifikimi i autorëve të ngjarjes dhe po punohej për kapjen e tyre.

Ndërkohë më herët, në rrjetet sociale u publikua një video në të cilën Braçi, shihej brenda një makine i rrethuar nga disa persona të tjerë që e godisnin dhe e shanin.

Po ashtu ata e detyronin Braçin që të fliste me fjalë banale dhe t’i kërkonte falje Fabio Dushkut. Kjo duket se mbështet edhe më tej deklarimet e familjarëve të Braçit në Polici, që thanë se i riu ishte rrëmbyer nga të afërm të Dushkut.

Konflikti mes Kozak Braçit dhe Fabio Dushkut, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Greqi, nisën pikërisht në rrjetet sociale. Pak kohë më parë, ata u fyen dhe u kërcënuan live në TikTok.

Ndërkohë, rreth dy javë më parë, Braçi denoncoi në polici se në pallatin ku jetonte i kishin vënë lëndë plasëse me qëllim për ta kërcënuar. Megjithatë, hetimet treguan se në fakt nuk bëhej fjalë për eksploziv, por për kapsoll.

Në njoftimin e saj për mediat për ngjarjen e sotme, policia tha se punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./tvklan.al