Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ndalimin nga forcat serbe të tre efektivëve të Policisë së Kosovës.

Ai thotë se nuk do që t’i hedhë më tej benzinë zjarrit, ndaj dhe pret hetimet e KFOR lidhur me rastin në fjalë.

“Kush thotë se po heshtim, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, deklaroi Rama në Twitter.

Kreu i qeverisë kujtoi edhe një herë se “Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ndaj ai me bindje thotë se do të presë fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe se i qëndron de-eskalimit imediat”!

Kosova akuzon Serbinë se forcat speciale të saj rrëmbyen 3 policë të Kosovës pranë kufirit, ndërsa Beogradi pretendon se i arrestoi pasi ishte të armatosur rëndë.

Tv Klan