Në Tiranë në zonën e Freskut disa banorë të pallatit Vllaznia kanë dërguar në “Stop” ankesën se rrëshqitja e dheut ka dëmtuar pallatin e tyre. Ata thonë se u bënë 7 muaj që dheu pranë pallatit ka rrëshqitur, duke rrëzuar një pjesë të ballkonit dhe duke prishur pjesën që ata e kishin bërë si vend pushimi.

“Jemi disa banorë të pallatit. Kemi një problematikë prej mëse 7 muajsh. Dheu mbrojtës rrëshqiti pas murit. Pallatit i ka dalë themeli dhe po çahet trau mbajtës i pallatit. Nga shembja e murit u prishën me kanale të ujërave të zeza të të gjithë pallatit, janë 50 e ca banja që shkarkohen, është bërë një katrahurë e vërtetë. Këtu rrezikohet i gjithë pallati”, tha një qytetar.

Veç kësaj, kanë plasur edhe ujërat e zeza, duke bërë, që aty të ndjehet një erë e tmerrshme. Banorët thonë, se janë drejtuar në të gjitha institucionet, por ata që vijnë thjesht bëjnë foto pa marrë asnjë masë. U kanë thënë, se situata do të zgjidhet në Mars, por afati kaloi dhe zgjidhja nuk po duket.

“Ku nuk kemi vajtur. Jo sot po nesër, u bë 7 muaj ky muhabet. Këtu del lumë në mëngjes. Era siç e shikoni nuk rrihet dot. Nga emisioni “Stop” duam që t’i sensibilizojmë që të gjejmë zgjidhje”, u shpreh qytetari.

“Ka rrezik për një sëmundje se duhej që ujësjellës-kanalizimet të kishin ardhur direkt për mbyllje. Vendosje për një muri mbrojtës. Më mirë të ndërhyhet sot se sa nesër kur të ketë viktima”, tha një banor tjetër.

“Stop” iu drejtua Drejtorisë së Emergjencave Civile Njësia Tiranë dhe aty thanë, se nuk është në dorë të emergjencave, por duhet të miratohet projekti nga Drejtoria e Zhvillimit dhe Planifikimit të Territorit.

Punonjësi: Drejtoria e Emergjencave Civile i është drejtuar Institutit Gjeologjik për një kryerje studimi. Studimi është kryer, i është dërguar lagjes 12, për të vazhduar procedurat e mëtejshme. Lagja 12 i është drejtuar Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Kjo drejtori, që sapo citova, duhet të hartojë një projekt! Mbasi të hartohet projekti, e dërgojnë tek Këshilli i Qarkut.

Gazetarja: Po ju, a nuk duhet të ndërhyni në momentin, që është një emergjencë, se për shembull nga shiu atje plasaritet përsëri ballkoni?

Punonjësi: Kjo ka një procedurë, që nuk ndërhyjmë dot në këtë situatë, që jemi, sepse, pasi studimi është kryer, duhet miratim projekti!

Gazetarja: Po kanë kaluar 7 muaj. Pse nuk është bërë ky projekt?

Punonjësi: Projektin nuk e bën Drejtoria e Emergjencave Civile. Nuk është, se ndërhyjmë dot ne. Nuk kemi mjete logjistike, po themi, për këtë punë. Mbasi hartohet projekti, ne sigurojmë vetëm fondin si Drejtori Emergjencash. Nuk kemi mjete për të ndërhyrë. Në këtë moment, që jemi, pritet vetëm miratimi i projektit.

Gazetarja: Nuk duhet të hiqen dherat tek pjesa, që ka rënë dhe pjesa e ballkonit?

Punonjësi: Atje vetëm muri mbajtës, sipas studimit gjeologjik.

Drejtoria e Zhvillimit dhe Planifikimit të Territorit premtoi se projekti do të miratohet shumë shpejt.

Gazetarja: Për rrëshqitjen e dheut tek pallati Vllaznia në Fresk!

Administratori: Po, ne e kemi bërë kërkesën. I kemi bërë shkresat poshtë Bashkisë.

Gazetarja: A është miratuar nga Urbanistika, që t’ju vijë përgjigja?

Administratori: Nuk është miratuar akoma.

Gazetarja: Kur e keni bërë shkresën ju?

Administratori: Po në Janar e kemi bërë, në Shkurt, diçka e tillë. Shumë shpejt kanë thënë, që do miratohet./tvklan.al