Ngarkesa ishte nisur nga SHBA me destinacion Slloveninë

Policia e Maqedonisë së Veriut në fshatin Krushopek të Shkupit ka ndërmarrë një aksion të madh kundër tregtisë së jashtëligjshme me drogë.

Bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar, ku përveç policisë maqedonase, kanë marrë pjesë edhe ajo italiane dhe malazeze si dhe DEA amerikane.

Policia italiane, nga sasia e përgjithshme prej 1.3 ton, përmes një dërgese të kontrolluar, në Maqedoni ka dërguar një kilogram kokainë, për të konfirmuar destinacionin e fundit.

Kokaina përmes Kolumbisë, vinte nga SHBA-ja, me destinacion Slloveninë. Nga Shqipëria përmes vendkalimit kufitar Qafë-Thanë ka arritur në Krushopek të Shkupit.

I gjithë aksioni ka qenë i koordinuar falë një bashkëpunimi policor ndërmjet vendeve.

Sipas urdhrit të Prokurorit Publik janë arrestuar vozitësit e kamionit dhe pronari i depos ku është gjetur sasia e drogës. Njoftohet se po gjurmohet edhe për persona të tjerë.

Nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar aksionin, por detajet i paralajmëruan për të Enjten.

 “Me udhëzime nga prokurori publik dhe me urdhër të gjykatësit në procedurë paraprake, kryhen bastisje në rajonin e fshatit Krushopek në afërsi të Shkupit për shkak të trafikimit ilegal me drogë. Gjithë kapaciteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është vendosur në mbrojtje të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit. Më shumë informacione për opinionin do të komunikojmë gjatë ditës së nesërme”, shkroi Çulev në Facebook.

Tv Klan