Propozohet tjetër ashpërsim i dënimeve për dhunuesit

Rreth 5 mijë raste denoncojnë dhunën e ushtruar ne familje brenda një viti në vendin tonë. Sipast të dhënave të INSTAT, dhuna në familje është rritur me 9 % nga viti në vit.

“Në Shqipëri, rastet e dhunës brenda familjes kanë shënuar rritje të frikshme. Për këtë arsye, deputetet e Partisë Socialiste kanë propozuar ndryshimet e Kodit Penal duke ashpërsuar masat e dënimit për dhunuesit. Madje në ndryshime propozohen dënime dhe për dhunën psikologjike”.

Deputetja Klotilda Bushku: Nisma ka dalë si një vendim i dakordësuar i të gjithë mazhorancës dhe ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Kryeministrit Rama që ne të ashpërsojmë luftën kundër dhunës në familje. Në Kodin Penal nuk ka qenë e adresuar çështja e dhunës psikologjike, tashmë është përfshirë si çështje përkatëse, është përfshirë në rrethin e subjekteve që mund të jenë në hetim edhe ish-partnerët. Garancia pasurore të mos jetë e zbatueshme për çështjet që lidhen me bazë gjinore apo familjare.

Në propozimet ligjore, tashmë kushdo që ushtron dhunë në familje rrezikon të dënohet me 5 vite burg nga 2 që është aktualisht. Ndërsa për ripërsëritësit deri në 10 vite burg.

Deputetja Klotilda Bushku: Ne synojmë ndryshime në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin për masat ndaj dhunës në rrethanat familjare. Kemi kërkuar që kjo masë e largimit të dhunuesit nga banesa të jetë masë e veçantë dhe të  aplikohet apriori nga policia edhe nga gjykata. Të strehohen, të mos mbeten rrugëve sepse bëhen të prirur për raste të përsëritura dhune. Organet e policisë ku viktimat denoncojnë dhunën kanë detyrim ta referojnë rastin në Prokurori. Gjithë qëllimi është që duhet të fokusohemi më shumë në mekanizmin  parandalues dhe të rrisim efikasitetin e masave.

Por për zv/Presidenten e Komitetit të Grevios, një komitet i Këshillit të Europës që merret me monitorimin e dhunës në familje, Iris Luarasi , problemi në Shqipëri nuk qëndron tek ligjet, por tek zbatueshmëria e tyre.

“Në thelb kjo është një nismë që duhet përshëndetur, por në praktikë ne nuk i kemi problemet tek legjislacioni, në fakt ne çalojmë tek pjesa e zbatimit të legjislacionit, dhe burgu edhe dënimi penal nuk zgjidh historinë e dhunës në familje, parandalimi dhe edukimi i hershëm edukon brezat e ardhshëm për të frenuar dhunën në familje. Duke e rritur përgjegjësinë e dhunuesve, kjo është një gjë e mirë, aq më tepër që dhuna psikologjike është pjesë e kësaj pakete, është e rëndësishme sepse ne i dimë mirë sa të vështira i kemi rastet në gjykata për të vërtetuar dhunën psikologjike”.

Sipas ekspertëve, dhuna në familje në Shqipëri është një problem i rëndë, pasi ka ende gra dhe vajza që jetojnë me mentalitetin që dhuna është çështje private familjare dhe të tjerët nuk duhet ta dinë.

“Veçanërisht në familjet patriarkale, babai rreh nënën, rreh djalin dhe ky i fundit kur rritet bëhet njësoj si modeli i babait”.

Me ndryshimet që iu bënë Kodit Penal në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2013, u parashikua për herë të parë kriminalizimi i veprës penale të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Por jo në pak raste ish-partnerët përfitojnë nga hapësirat ligjore, pasi nuk ka patur cilësimin si subjekt i posaçëm i veprës penale. Tashmë me propozimet e ndryshimeve ligjore, edhe kjo kategori dënohet me burg.

Tv Klan