Rrezik nga Irani? Rama: Jemi në kontakt me aleatët

Rrezik nga Irani? Rama: Jemi në kontakt me aleatët

17:28 08/01/2020

“Vizitë në Rusi dhe SHBA

Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së ditën e nesërme. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Vjenë ku vizitoi ekipin shqiptar që do të drejtojë për herë të parë këtë organizatë.  

Kreu i qeverisë zhvilloi një takim me disa gazetarë të mediave shqiptare të pranishëm në Vjenë. Rama e konsideroi marrjen e drejtimit të OSBE-së si një arritje fantastike të Shqipërisë.

“Nuk jemi të thirrur që të rishpikim OSBE-në, apo të rishpikim mekanizmat e OSBE-së, por të çojmë përpara një përpjekje që nuk fillon me ne, nuk mbaron me ne, bazohet mbi konsensusin në çdo hap”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se është bërë shumë punë për t’u përgatitur për drejtimin e OSBE-së. Për sa i përket çështjes së Ukrainës, Rama tha se do të bëjë më të mirën dhe do të japë angazhimin për zgjidhjen e krizës, por nuk pretendon të zgjidhë çështje që nuk janë zgjidhur ndër vite.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve për Iranin. Sipas kryeministrit situata aktuale e Iranit, nuk e rrezikon Shqipërinë. Ai theksoi se vendi ynë është në kontakt të përhershëm me aleatët strategjikë.

“Së pari, kjo është një temë dhe është një çështje që nuk është e re për ne, në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën traditës shqiptare, që është në vazhdën e një aleance strategjike të panegociueshme, të padiskutueshme me Shtetet e Bashkuara, për të mikpritur apo për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. E siç shkruhet dhe në marrëveshjen që ne kemi bërë, ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar, jo politik, humanitar. Ndërkohë që patjetër, ne kemi jetuar në diktaturë, po flisnim pak më përpara dhe ne e dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat, si veprojnë regjimet totalitare e sa janë të obseduar për të kontrolluar gjithçka e për të mbytur çdo zë kundra dhe për të asgjësuar mundësisht çdo kundërshtar në gjithë globin. Shqipëria e diktaturës ishte një vend shumë i vogël me resurse shumë minimale në raport me Iranin dhe kishte një kundërspiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjithë zonat e në gjithë pikat ku kishte armiq të regjimit, armiq të brendshëm siç quheshin. Megjithatë, unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë dhe nuk kemi arsye të besojmë këtë, pikërisht sepse ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna tek inteligjenca, besoj që ata janë të pa konkurrueshëm botërisht dhe si të thuash, në këtë rast, ne jemi në duar të sigurta kur është fjala tek marrja e informacionit dhe nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë, por nga ana tjetër sigurisht që jemi të angazhuar dhe jemi si të thuash, të angazhuar në përditshmëri për këtë proces, patjetër”. 

Së shpejti, kreu i qeverisë do të vizitojë Rusinë, Ukrainën dhe SHBA-në.

Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE-së dhe është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit kemi bërë dhe harmonizimin e angazhimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE-së me obligimet e brendshme dhe janë disa vizita që do bëhen shumë shpejt. Praktikisht më të shpejtat janë vizitat në Ukrainë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi. Tani, për datat, ne presim konfirmime nga të gjitha palët sepse duhen rakorduar me të gjitha palët”, u shpreh Rama./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi