Projektbuxheti i qeverisë rrezikon të mos sigurojë votat e nevojshme të aleatëve socialistë për miratim. Pas Partisë Socialdemokrate edhe parti të tjera të koalicionit vënë në pikëpyetje votën e tyre pro projektbuxhetit.

Kristo Goçi: “E kemi nisu me shkrim për Partisë Socialiste dhe tryezës së koalicionit , të bëhen të pranushme pjesa dërrmuese e të gjitha propozimeve tona që kanë të bëjnë kryesisht me komunat të cilat ne i kemi fituar dhe që kemi vënë re që fondet nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë si të gjitha komunat e tjera që ka fituar Partia Socialiste, por edhe me propozimet që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera të prekshme të jetës së qytetarëve. Sot edhe nesër do të vazhdojmë tentativat për realizimin e këtyre kërkesave të paraqitura.”

Gazetarja: Po në rast të kundërt?

Kristo Goçi: “Nuk e kemi përse ta votojmë.”

Paskal Milo: “Ne do ta japim votën në varësi të shtimit apo pakësimit të fondeve për paketën sociale. Ne dëgjuam kryeministrin, kemi marrë edhe propozimet dhe vërejtet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe partive të tjera dhe në varësi të debateve që do të bëhen, nëse na mbushet mendja që ky projektbuxhet, përsa i përket aspekteve sociale është më i mirë se sa ai i vitit të kaluar, atëherë ne do ta votojmë pozitivisht.”

Neritan Ceka: “Për paketën fiskale kam abstenuar për gjëra që nuk kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj qeverisë. Natyrisht edhe në këtë prizëm do të shikoj edhe çështjen e buxhetit. Besoj që buxheti ka shumë shanse për t’u votuar. Themi ka një rritje të ndjeshme në drejtim të financimit të arsimit dhe shëndetësisë të cilët janë dy pika shumë të ndjeshme të programit të aleancës demokratike. Mendoj se përbën një punë profesionale dhe si e tillë do të gjykohet pozitivisht nga ana ime dhe vota nganjëherë është një vendim përfundimtar dhe nuk varet nga një parapërgatitje e gjatë.”/tvklan.al