Pas një testi pozitiv dhe një lajmi për një pritje të ëmbël, për pjesën më të madhe të nënave të reja, por jo vetëm vjen një tre mujor shumë delikat dhe i vështirë.

Sipas mjekes gjinekologe Denisa Golemi në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, tre mujori i parë është periudha më delikate e shtatzënisë, kur zhvillimi i fetusit është intensiv dhe trupi i nënës përballet me ndryshime të mëdha hormonale e fizike. Për këtë arsye dhe numri i aborteve spontane është më i lartë.

Kujdesi i shtuar gjatë kësaj periudhe është thelbësor për të shmangur komplikacionet dhe për të siguruar një shtatzëni të shëndetshme. Mjekja theksoi rëndësinë e ndjekjes së këshillave mjekësore, ushqyerjes së balancuar dhe shmangies së faktorëve të rrezikut që mund të ndikojnë negativisht në rrjedhën e shtatzënisë, siç mund të jetë sforcimi, ngritja e peshave dhe të tjera.

Denisa Golemi shtoi gjithashtu se duhet të ruhet dhe një lloj distancimi nga kafshët, pasi toksoplazmoza e cila është një infeksion i zakonshëm që prek kafshët mund të sjellë çrregullime në formimin e foshnjes.

Katerina Trungu: Tre mujori i parë është më delikati për ta ruajtur dhe për ta mbajtur sa më mirë shtatzëninë?

Denisa Golemi: Tre mujori i parë është shumë e vërtetë që është një periudhë shumë delikate qoftë për nënën, qoftë për vetë shtatzëninë. Ne e dimë që në tre në mujorin e parë kemi dhe numrin më të madh të shfaqjeve të aborteve spontane. Kështu që duhet një përkujdesje sa më e mirë. Dimë që në muajt e parë kemi krijimin e të gjitha organeve të këtij embrioni, që është gjeneza dhe normalisht kushtet ambientale duhet të jenë sa më miqësore, në mënyrë që ky embrion të zhvillohet ashtu siç duhet, që të mos kemi patologji dhe deformime më mbrapa.

Katerina Trungu: Përveç ushqimit, kemi dhe gjëra të tjera që duhet të kemi kujdes?

Denisa Golemi: Po, është dhe ambienti ku qëndron. Ne themi gjithmonë që një nënë shtatzënë, jo vetëm në  tremujorin e parë, por dhe mbrapa nuk duhet që të jetë në kontakt me kafshët. Dimë që ekziston një sëmundje që quhet toksoplazmoza, që normalisht duhet të na kufizojë pak në disa sjellje. Qoftë nga qëndrimi me kafshët, por qoftë edhe nga mënyra e të ushqyerit me perime dhe zarzavate. Sa i takon kafshëve dhe atyre që mbajmë në shtëpi, nuk duhet të ketë një kontakt të ngushtë krahasuar me kontaktin para shtatzënisë, sepse sado e vaksinuar të jetë kafsha, përsëri ekziston rreziku. Toksoplazmoza është një sëmundje që kontaminohet me anë të feçeve të kafshëve, ty si individ nuk të ndodh asgjë, por për bebin është shumë problematike, sepse mund të japë keqformime dhe problematika në zhvillim.

Katerina Trungu: Përveç kësaj, rrethana të tjera mund të jenë stresi?

Denisa Golemi: Patjetër që mund të jetë stresi, gjendjet e stresit, ose medikamente të ndryshme që ti duhet të marrësh. Në tre mujorin e parë jemi shumë të kufizuar në dhënien e mjekimeve edhe në rastet se kjo nënën shtatzënë mund të përjetojë ndonjë problematikë shëndetësore për të cilën duhet të mjekohet. Prandaj mundohemi gjithmonë që ta kufizojmë sa më shumë gamën e medikamenteve dhe gjithmonë ato që janë shumë të sigurta dhe vetëm atëherë kur duhet.

Katerina Trungu: Të ndalemi pak edhe tek aktiviteti fizik.

Kam dëgjuar disa raste ku mund të kenë pasur abort nga një tërhqeje e lehtë që mund të kenë bërë për të marrë diçka.

Denisa Golemi: Shkaqet e aborteve janë të shumta. Ne në momentin e parë që konfirmojmë shtatzëninë patjetër që e këshillojmë pacienten, që sidomos në javët e para të shtatzënisë të mos bëjë sforcime fizike në trupin e vet, që prekin pjesën e barkut, qoftë dhe tërheqjet fizike. Edhe nëse ajo është një vajzë që ushtrohet në palestër, mund të shkojë në palestër, por gjithmonë të bëjë ushtrime që nuk prekin pjesën e barkut, sepse pjesa e barkut duhet të jetë sa më e qetë./tvklan.al