Matësat elektrik janë shndërruar në problem për banorët e pallatit “Unikom” në rrugën “Perlat Rexhepi”.  Ata thonë se matësat ndodhen ngjitur me ashensorin, duke rrezikuar jetën e tyre. Pas ndërhyrjes së emisionit “STOP”, Ardian Kola, Drejtor i Komunikimit në OSHEE, pranon situatën kritike dhe premton zgjidhje për vendosjen e një kutie brenda kushteve teknike.

“Kemi këtë boksin e dritave që është jashtë funksionit, kemi rreziqe të mëdha të zënies së korentit. Mund të bëhet masë këtu, mund të bëjë lidhje të shkurtër dhe do të përvëlohemi jo si shkallë por si pallat me gjithë ashensorin. Nëqoftëse një njeri do të ndodhet në ashensor, ai do të vdesë brenda. I lutemi OSHEE të vejë dorë, jo vetëm të bëjë disa rregullime, por duhet hequr e gjithë kjo. Vijnë njerëzit për të ngritur automatin, se u bie automati dhe i ze korenti.

Një banor i pallatit shprehet se administratori i pallatit ka shkuar shpesh herë te OSHEE, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa një tjetër thotë se kjo kabinë është jashtë çdo standardi.

Pas ndërhyrjes së emisionit “STOP”, Drejtori i Komunikimit  në OSHEE, Ardian Kola së bashku me teknikët janë paraqitur në pallatin “Unikom” në rrugën “Perlat Rexhepi” për të parë gjendjen e matësave elektrik.

“Ne e pamë dhe gjendja e saj është tejet kritike. Shumë vite më parë është ndërtuar nga kompania private, që ka ndërtuar edhe pallatin. Kompani e cila duhet të themi që duhet të kishte ndërgjegje për ta mirëmbajtur atë. Kutia ka dy pjesë, pjesa për të cilën mban përgjegjësi OSHEE, që është pjesa e matësve dhe pjesa tjetër, automati, është në gjendje të amortizuar. Diskutuam edhe me inxhinierët, bëmë analizat tona. Do të vendoset një kuti brenda kushteve teknike, e gjithë kjo për të kompletuar  dhe për të patur një pajisje që garanton siguri dhe shmang rreziqet.

Banorët e pallatit falenderojnë emisionin “STOP” sepse brenda një ore bën të mundur rregullimin e një pjese të kutisë, e cila ishte shumë e rrezikshme edhe për fëmijët,  dhe u premtua ndryshimi i kutisë brenda kushteve teknike.