Fitorja e befasishme e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, sinjalizoi një kthesë nga e djathta.

Tani Evropa po përballet me tre cikle zgjedhjesh: këtë javë në Holandë; muajin e ardhshëm në Francë; dhe në verë në Gjermani. Në një farë mase, ethet kundër politikës tradicionale në Evropë ishin një pasqyrim i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Por, a do të ketë tani një “efekt Trump” në Evropë që mund të sjellë kandidatët populistë në pushtet?

Geert Wilders është “Donald Trumpi hollandez”. Politikani holandez ka flokë të verdhë të krehur me kujdes dhe një platformë të ashpër anti-imigracion. Partia e tij që është gjithashtu kundër Bashkimit Evropian, mund të fitojë një numër të konsiderueshëm vendesh në parlament në zgjedhjet e 15 marsit.

Holanda është në udhëkryq, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Akademisë Transatlantike, Stephen Szabo.

“Një nga mundësitë është që të shohim një efekt domino, ku populistët të sigurojnë mbështetje nga fitorja e Trump dha nga Brexit, ose mund të shohim një kundër reagim që të përçojë mesazhin ‘nuk duam të shkojmë në këtë drejtim’. Kjo do të jetë interesante të shihet në zgjedhjet, veçanërisht në zgjedhjet franceze dhe hollandeze”.

Sipas analistit të politikës së jashtme, Edward Joseph, shumë evropianë po shtrojnë pyetjen “A jam në vendin tim”? Ai tha se ky mund të jetë një faktor kyç për zgjedhjet e ardhshme.

“Politikat e kancelares Angela Merkel janë shumë në favor të imigracionit. Kjo ka shkaktuar një ndjenjë ankthi mes votuesve evropianë. Problemi i dytë është globalizimi dhe krizat e vazhdueshme ekonomike të lidhura me të”.

Dhe megjithëse shumë vetëve nuk u pëlqejnë politikat e partive të djathta populiste ose të Presidentit, duket se në Evropë në përgjithësi ka një konsensus se relievi politik po ndryshon në mënyrë dramatike”.

Ashtu si në zgjedhjet amerikane, shumë votues holandezë janë të shqetësuar se çfarë tregojnë tani sondazhet, duke u druajtur se përfundimet e tyre nuk janë të besueshme. Rezultatet e zgjedhjeve të 15 marsit në Holandë mund të jenë një sinjal për drejtimin që po merr politika evropiane./tvklan.al