Substancat që shërbejnë për drejtimin e flokëve mund të shtojnë rrezikun për prekjen nga tumori i gjirit. Statistikat flasin që bojërat e flokëve mund të ndikojnë deri në 9%, ndërsa për këdo që përdor produkte kozmetike për drejtimin e flokëve risku llogaritet deri në 31%.

Raporti është kryer nga Instituti Kombëtar i Shkencave mjedisore në SHBA, por autorët e studimit theksojnë se deri tani është vrojtuar lidhja mes tyre, por ende nuk është provuar marrëdhënia shkak-efekt.

Deri më sot shkenca thotë se mund të jenë të shumtë faktorët që ndikojnë në krijimin e tumoreve, në këtë rast në kancerin e gjirit. Statistikat në punën kërkimore në fjalë kanë ndjekur për 8 vjet me radhë 46.709 gra në kuadër të projektit Sister Studio, pasi vullnetaret ishin të gjitha motra të grave që kishin vuajtur nga ky lloj tumori.

Gjithashtu sipas statistikave rezulton se më të goditura nga ky lloj kanceri janë gratë afro-amerikane, dhe në rastin e përdorimit të produkteve për flokët si drejtues apo bojë, rreziku në to rritej deri në 45%.

Pas këtij studimi, ka patur reagime në lidhje me vërtetësinë dhe besueshmërinë e tij. Ndërkohë Autoriteti për Ushqimin FDA në SHBA, ka bërë të ditur se nuk mund të fusë bojërat e flokëve në listën e substancave kancerogjene, pasi nuk ka ende prova të mirëfillta që të vërtetojnë këtë gjë. Studimi është publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Kancerit.

Klan Plus