“Në Europë vaksinat anti-covid kanë shmangur rastet fatale me këtë mutacion”

Qarkullimi i variantit “Delta” të COVID-19 dhe grumbullimet gjatë “Euro 2020” kanë ndikuar në rritjen e infektimeve kudo në Europë sipas ekspertëve. Pavarësisht se në Shqipëri nuk ka ende zyrtarisht të prekur me këtë mutacion, risku mbetet i lartë, shprehen epidemiologët.

 “Rritja e rasteve supozohet që janë dy elementë. Një, varianti Delta që është lehtësisht më i transmetueshëm me 40% dhe e dyta, mendohet që të kenë pasur efekt grumbullimet për shkak të kampionatit europian dhe kjo ndodh në Europë. Shtetet europiane kanë rritje më të lartë, megjithatë nuk po shoqërohet fatmirësisht me vdekshmëri dhe kjo është pika më e rëndësishme. Arsyeja kryesore është që nuk kemi sot një vit, tashmë një përqindje e lartë njerëzish e ka kaluar sëmundjen në mënyrë natyrore, një tjetër përqindje e rëndësishme është vaksinuar”, tha epidemiologu Ilir Alimehmeti.

Ata që nuk e kanë kaluar koronavirusin e që nuk janë vaksinuar deri më tani, duhet të imunizohen pasi vaksina na mbron nga komplikacionet e rënda, thotë Alimehmeti.

 “Duhet një prioritizim i personave që nuk e kanë kaluar më parë, ata duhet të bëjnë vaksinën me doemos. Një informacion që vaksinat janë të efektshme ndaj formave të rënda, vaksina është e vetmja mënyrë që kemi për t’i dalë përballë një sëmundjeje infektive e nga krahu tjetër dueht të themi që çdo lloj vaksine deri më sot ka autorizim emergjence për përdorim emergjent”, theksoi Alimehmeti.

Prej disa javësh Instituti i Shëndetit Publik ka dërguar mostra të dyshuara me variantin Delta në laboratorin e Berlinit, por ende nuk ka në përgjigje për rezultatet.

Klan News