Shqipëria ka në total 652 diga dhe shumica e tyre janë ndërtuar para viteve `90. Kryetari i komitetit të digave Arjan Jovani bëri një detajim të tyre, si dhe tha se shqetësim është mungesën e monitorimit të tyre.
Arjan Jovani, kryetar i Komitetit Kombëtar të Digave të mëdha: 652 diga në total nga të cilat 350 prej të cilave janë diga të mëdha. 24 diga të mëdha përdoren për prodhim hidroenergjie, 324 për ujitje dhe mëse 100 prej tyre për peshkim. Dy diga të mëdha kanë qëllim furnizim të ujit të pijshëm. Mungesa e kontrollit të duhur dhe profesional të shtetit dhe organizimi i strukturave kontrolluese, legjislacioni i vjetëruar dhe jo në përputhje me kërkesat e sotme, mungesa e stafeve teknike të trajnuara për monitorimin dhe sigurinë e digave.
Për herë të parë në Shqipëri në një konferencë mes ekspertësh, u diskutua për heqjen e digave të vogla të cilat kanë dalë jashtë funksionit.
Erjon Kalaja, “H2H Foundation”: Aktualisht ministria e Bujqësisë, Bashkitë dhe Komiteti Kombëtar i Digave raportoi se janë 141 diga të vogla dhe të mëdha që kanë dalë nga funksioni. Janë rreth 30 diga të mëdha që nuk e kryejnë më funksionin e ujitjes ose si pasojë e dëmtimeve teknike ose si pasojë e ndryshimeve në shfrytëzimin e tokës.
Tirana është ndër qarqet me më shumë diga, dhe ujëmbledhësit kanë humbur funksionin e vaditjes për shkak të urbanizimit, siç janë liqeni i Kasharit, i Farkës apo i Paskuqanit. Për të cilët eksperti Kalaja tha se duhet të bëhen ndryshime ligjore sa i përket mirëmbajtjes.
Erjon Kalaja, “H2H Foundation”: Duke qenë se ndryshimi në përdorim sjell detyrimisht edhe ndryshimin në mënyrën e operimit kjo sjell edhe pasiguri dhe mosdije nga ana e operatorëve dhe banorëve që ndodhen poshtë këtyre digave për mundësinë e rrezikut nga përmbytjet apo gjatë tërmeteve nga rrëshkitjet e dheut.
Sipas ekspertëve të fushës, rreth 40% e rezervuarëve kanë dal jashtë funksionit për shkak të mungesës së infrastrukturës së ujitjes, mbushjes më aluvione, por edhe për shkak të urbanizimit dhe sipas tyre për ato që klasifikohen diga të mëdha duhet të kenë në funksion planin e alarmit.
Klan News