Polonia e sheh si një mundësi për veten që Amerika të vendosë një bazë armësh bërthamore në tokën e saj. Kjo gjë thuhet tashmë hapur edhe nga presidenti i vendit Andrzej Duda. Ai ka përsëritur thirrjet e tij, duke u shprehur se kjo gjë do ta bëjë Poloninë më të fuqishme dhe më të sigurt në përballjen me Rusinë.
Parë nga sytë e Varshavës zyrtare, Rusia e presidentit Putin është një rrezik i qartë dhe i pranishëm për Poloninë. Duda u shpreh për prestigjiozen BBC se Rusia është po aq agresive sa ish-Bashkimi Sovjetik. Ai dënoi atë që e quan si lakmia perandorake e Moskës.
Siç shkruan BBC, pozicionimi i armëve bërthamore të SHBA-së në Poloni do të shikoheshin si një provokim nga Presidenti Putin. Por Duda e sheh propozimin si një masë mbrojtëse për të forcuar parandalimin.
Ai tha se kjo do të ishte një përgjigje e vendimit të Putin në vitin 2023 për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, e cila kufizohet me Poloninë dhe Ukrainën.
Duda ka përshëndetur edhe propozimin e bërë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për të zgjeruar ombrellën bërthamore franceze drejt shteteve të tjera të NATO-s.
Polonia shpenzon pothuajse 5% të të ardhurave të saj kombëtare në mbrojtje. Kjo është më shumë se çdo vend tjetër i NATO-s, përfshirë edhe SHBA-në./tvklan.al