Ministrja Gjonaj, e shoqëruar nga shtabi i emergjencave gjatë këtyre orëve ka inspektuar nga afër të gjitha burgjet më të prekura nga lëkundjet sizmike, IEVP “Lezhë”, “Durrës”, “Fushë-Krujë” dhe “Jordan Misja”( burgu 313). 

Në një njoftim për mediat thuhet se, nga vlerësimet e bëra deri më tani, pavarësisht gjendjes emocionale që ka shkaktuar paniku i lëkundjeve sizmike, gjendja shëndetësore te të dënuarit dhe paraburgosurit në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale paraqitet e mirë dhe pa probleme.

Përveç dëmeve materiale nuk ka pasur asnjë problematikë tjetër lidhur me jetën dhe shëndetin e të gjithë punonjësve, por edhe të dënuarve si pasojë e lëkundjeve sizmike.

Ekipet e vlerësimit të Ministrisë së Drejtësisë të shoqëruar nga ekspertët e fushës, kanë kryer verifikimet në të gjitha godinat e IEVP-ve, të cilat kanë rezultuar në tërësi pa probleme serioze.

Problematike nga vlerësimi i kryer paraqitet vetëm për seksionin nr 2 të IEVP-së Lezhë, duke evidentuar mungesën e qëndrueshmërisë së kësaj godine.

Për këtë arsye, gjatë orëve të paradites së ditës së sotme u vendos evakuimi i 119 të të dënuarve që qëndronin në këtë godinë duke i transferuar në IEVP-në Shkodër.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë marrë masat maksimale të sigurisë për transferimin e të dënuarve dhe aktualisht ky proces ka përfunduar dhe të 119 të dënuarit të sigurisë së zakonshme janë sistemuar në IEVP-në Shkodër.

Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë janë marrë të gjitha masat për shtimin e punonjësve të policisë së burgjeve me qëllim funksionimin normal dhe garantimin e sigurisë.

Ministria e Drejtësisë së bashku me të gjitha strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të sigurisë është e angazhuar maksimalisht në marrjen e të gjitha masave për përballimin me sukses të kësaj situate si dhe duke mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm të gjitha institucionet./tvklan.al