Sipas Byrosë Federale të Hetimit (FBI), FaceApp dhe të tjera aplikacione të krijuara në Rusi paraqesin një rrezik potencial të shërbimeve të spiunazhit.

Këto komente të FBI-së janë bërë në një letër dërguar senatorit Chuck Schumer pasi ai kërkoi që të hapej një hetim në lidhje me aplikacionin, i cili u bë viral gjatë këtij viti. Më pas, përdorimi i tij shkaktoi debate në lidhje me privatësinë.

Komentet e FBI-së vijnë pas shqetësimeve të SHBA në lidhje me produktet që bëhen nga firmat teknologjike të huaja, të cilat mund të kenë rreziqe sigurie.

“Konsiderohet se çdo aplikacion ose produkt i ngjashëm i prodhuar në Rusi, si FaceApp, mund të jetë një kërcënim potencial i spiunazhit”, thuhet në raportin e FBI-së.

Nuk ka pasur ende një reagim nga kompania Wireles Lab, e cila ka krijuar aplikacionin. Kompania e ka qendrën në Saint Petersburg dhe më herët ka thënë që nuk i ruan imazhet dhe nuk mbledh të dhëna nga përdoruesit./tvklan.al