Kartat e memories të kameras së brendshme të helikopterit EC 145 rrëzuar në liqenin e Shkodrës kanë mbërritur në Gjermani për t’u ç’koduar. Kqyrja e tyre do të kryhet nga ekspertët e kompanisë BFU, e cila është e specializuar për të çështje të tilla.

Burime nga prokuroria e Shkodrës konfimuan për Tv Klan, se në vendin tonë ishte e pamundur kryerja e këtij procesi.

Të njëjtat burime saktësuan se rasti është tepër specifik, pasi ekzistonte mundësia që kartat të dëmtoheshin në Shqipëri.

BFU është kompania e parë që kontraktohet nga firmat prodhuese të mjeteve fluturese për hapjen e kutive të zeza apo të kamerave të bordit, në rastet e aksidenteve të helikopterëve. Ky proces do të asistohet edhe nga një prokuror shqiptar.

Nuk saktësohet se sa kohë do t’i duhet firmës gjermane për të deshifruar informacionin.

Grupi hetimor thotë se vetëm pas pamjeve mund të zbulohet se cili ishte ishte shkaku i rrëzimit të mjetit fluturues.

Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Shkodrës po vazhdojnë gjithashtu hetimet, pas dyshimeve se nuk është zbatuar rregullorja nga eprorët e pilotëve, në përbërjen e ekipit fluturues. Nga të dhënat paraprake ka rezultuar se ushtari Gerald Baramuça, i vetmi nga tre ushtarakët që i shpëtoi aksidentit, nuk duhet të ishte pjesë e ekipit.

Helikopteri EC 145 u rrëzua në datën 6 Prill në liqenin e Shkodrës, Donald Hoxha dhe Floran Delia humbën jetën në vend, njëri si pasojë e goditjeve të forta dhe tjetri i mbytur.

Tv Klan