Akuzohen se nuk respektuan rregullat e mbrojtjes në punë

Inxhinieri, sipërmarrësi dhe punëtori i firmës së ndërtimit “Arlis sh.p.k” u vunë në pranga nga policia e Tiranës. Elton Osmanllari, Erjon Kanto dhe Zef Kala, u ndaluan për ngjarjen e të hënës ku skela e pallatit u shkëput nga kati i 13.

Sipërmarrësi Erjon Kanto dhe inxhinieri Zef Kala u ndaluan pasi sipas policisë nuk monitoruan punimet dhe respektimin e rregullave të mbrojtjes në punë. Ndërsa punëtori i ndërtimit Elton Osmanllari duke punuar në katin e fundit të objektit për shkak të pakujdesisë i është shkëputur një nga elementët e skelës që solli rrëzimin e saj. Për pasojë dy kalimtarët Hysen Lavdari 72-vjeç dhe Imelda Shkëmbi 38-vjeçe mbetën të plagosur. Sipas policisë gjendja shëndetësore e tyre, është jashtë rrezikut për jetën.

Një ditë pas ngjarjes, në këtë objekt nuk punohej në lartësi ndërsa një grup punuan për rrethimin e godinës.

Pallati që po ndërtohet është pranë trotuarit të këmbësorëve dhe për mbrojtjen e tyre nuk është vendosur ndonjë perimetër sigurie apo struktura që pengojnë rënien e sendeve të forta nga lartësia.

Klan News