Statistikat dhe besueshmëria e tyre, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko janë një mundësi e mirë që politikbërësit dhe aktorët në tregjet financiare të lexojnë dhe identifikojnë më mirë rreziqet që kërcënojnë stabilitetin e sistemit financiar.

Në Seminarin Rajonal të Statistikave, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Evropiane Guvernatori tha se Shqipëria zbaton Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së dhe është e angazhuar në përmbushjen e disa kërkesave të rrepta për prodhimin, shpërndarjen dhe dokumentimin e të dhënave statistikore.

“Analizat ekonomike dhe financiare të bankave qendrore po mbështeten gjithnjë e më shumë te modelet komplekse, të cilat mundësojnë analizën e njëkohshme të ekonomisë reale, tregjeve financiare dhe ndërlidhjeve me partnerët e huaj tregtarë e financiarë. Për këtë arsye, cilësia dhe besueshmëria e informacionit statistikor ka rëndësi të veçantë.

Sejko theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it, duke e vlerësuar atë si çelësin e suksesit për prodhimin e të dhënave statistikore për çdo sektor.

Tv Klan