E diagnostikuar me kancerin e gjirit në valën e Covid-19, e ftuara e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Matilda Dollani rrëfen përjetimin e saj për lajmin e vështirë. Ajo tregon se përveç familjes, pranë saj janë gjendur mikeshat e saj të Instagramit, me të cilat ka krijuar një komunitet virtual.

Matilda Dollani: Mendova që njerëzit kanë nevojë për më tepër informacion që edhe familjarët kanë nevojë për ta kuptuar pak më mirë pacienten sepse shpeshherë ndodh që nuk i gjen dot fjalët për t’ia shpjeguar atë që ti po kalon.

Për këtë ajo vendosi të hapë profilin e saj në Instagram, “Rrezja Rozë” për të qenë sa më pranë vajzave në të njëjtën situatë.

Nëna e saj dhe Matilda kanë luftuar së bashku në këtë betejë gjithashtu edhe profili i saj në Instagram e ka ndihmuar shumë emocionalisht në këtë periudhë të vështirë për të.

Katerina Trungu: Në komunikim me mikeshat e tua çfarë ke vënë re, çfarë të ka bërë përshtypje dhe çfarë informacioni keni ndarë me njëra- tjetrën?

Matilda Dollani: Mikeshat më kanë ndihmuar shumë, kanë qenë burim force për mua se një pjesë e tyre kanë pasur dhe histori familjare dhe kanë pasur më tepër informacion sesa unë me këtë sëmundje, kanë pyetur persona të tjerë, kanë marrë më tepër informacion, i kanë ndarë me mua. Dhe ajo që më ka pëlqyer jashtë mase është që nuk më kanë bërë të ndihem si një paciente, por më tepër si një vajzë si të gjithë të tjerat që po kalon një vështirësi dhe ka nevojë për suport./tvklan.al