Në një kohë kur dëbora ka mbuluar vendin dhe temperaturat janë nën zero, banorët e dy fshatrave të Dibrës jetojnë në errësirë prej të paktën 10 ditësh. Bëhet fjalë për fshatrat Kraj-Reç dhe Soricë, banorët e të cilëve kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të rrëzimit të 9 shtyllave të tensionit të lartë.  

Për rubrikën Kallëzo në tvklan.al, kryeplaku i fshatit Kraj-Reç thotë se janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë. Ai kërkon nga Kryeministri Edi Rama rregullimin e energjisë elektrike, ose banorët t’i çojnë diku tjetër, sepse siç thotë nuk mund të rrinë në errësirë.

“Unë jam Kryeplaku i fshatit Kraj-Reç, Njësia Administrative Zall-Reç Dibër. Ka 10 ditë që rrimë pa drita. Nuk është interesuar askush, kur i kemi njoftuar dhe nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje. Tani i kërkojmë Edi Ramës të na i rregullojë, po nuk na i rregullojë të na çojë aty ku ka drita, se nuk rrimë në errësirë…”/tvklan.al