Kjo është një ndër të paktat pamje nga vendi i rënies së një avionit “Boing 737” i kompanisë “Ethiopian Airlines”, ku humbën jetën të 157 personat që ndodheshin në bord përfshirë edhe 8 pjesëtarë të ekuipazhit.

Avioni ra rreth 60 kilometra në juglindje të Addis Ababas, rreth orës 8.44 të mëngjesit, vetëm 6 minuta pasi ishte ngritur nga aeroporti i kryeqytetit etiopian me destinacion Nairobin në Kenia.

Shkaqet e tragjedisë janë ende të paqarta. Autoritetet etiopiane thanë se piloti kishte kërkuar leje për t’u rikthyer në aeroportin nga ku ishte nisur vetëm pak sekonda para zhdukjes nga radarët. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se kishin parë flakë që dilnin në njërin nga krahët e avionit.

Në bordin e avionit, shumica e pasagjerëve ishin Kenianë, por kishte edhe kanadezë, italianë, amerikanë, britanikë e francezë. “Ethiopian Airlines” konsiderohet një linjë e sigurt edhe pse avionët e saj janë përfshirë në dy aksidente tragjikë të tjerë në 3 dekadat e fundit, në 2010-ën dhe në 1996, me 213 viktima në total.

Tv Klan