Mazhoranca rrëzoi dekretin e presidentit Ilir Meta, i cili ktheu dhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat. Deputetët socialistë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë nuk pranuan pretendimet e kreut të shtetit, se ligji favorizon dhe ul barrën fiskale për kompanitë e lojërave të fatit, por përkundrazi, ata thanë se taksa rritet nga 10 në 15% për Lotarinë Kombëtare.

Për kreun e Financave, presidenti është këshilluar gabim, pasi nuk është lexuar përkufizimi i “të ardhurave bruto” në nenin 4 të Ligjit për Lojërat e Fatit, çka praktikisht nuk jep asnjë ndryshim te shuma që do të paguajnë bizneset e bixhozit.

Ahmetaj premtoi se nuk do të ketë më asnjë kazino elektronike në zonat e banuara pas datës 1 Janar të vitit të ardhshëm, ato do të zhvendosen në hotelet me 5 yje. Me urdhër të kryeministrit do të nisë zhvendosja edhe e pikave të basteve sportive, të cilat duhet të respektojnë distancën 100 metra larg në vijë ajrore.

Dy vjet më parë mazhoranca shtyu efektet e Ligjit për Lojërat e Fatit, i cili bënte zhvendosjen e kazinove jashtë qyteteve, ndërsa në seancën e Komisionit të Ekonomisë, deputetët socialistë kërkuan amendim të këtij ligji në mënyrë që të tatimi mbi kompanitë e basteve të rritet në 50%.

Tv Klan