Lihet në fuqi zgjatja me 3 muaj e hetimeve për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Avokati i tij Sokol Hazizaj u njoh sot me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që nuk mori parasysh kërkesën e ish-kreut të akuzës për mbyllje të hetimeve.

Llalla akuzohet për pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë. Hetimet për ish-kreun e prokurorisë filluan në Mars të vitit të kaluar, ndërsa me kërkesë të prokurorisë iu sekuestruan prona të paluajtshme që kapnin vlerën e rreth 1 miliardë lekëve të vjetra.

Prokuroria ka kërkuar informacion për këtë hetim në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjermani, ku familja e Llallës ka qëndruar për disa vite, do të verifikohen disa shpenzime që kanë kryer atje. Ndërsa në Amerikë janë kërkuar të dhëna mbi një shpenzime që ish-prokurori ka kryer në fillim të 2019.

Ai ka paguar 10 mijë dollarë për të lobuar në Kongresin Amerikan për lobim pas ndalimit të hyrjes në SHBA. Sipas prokurorisë këto informacione ende nuk kanë mbërritur dhe hetimi duhet shtyrë me tre muaj të tjerë. Ish-numri një i akuzës pretendon se prokuroria ka pasur të gjithë kohën e mjaftueshme për të hetuar, por kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga gjykata.

Tv Klan