Misioni i parë i Moskës pas 50 vitesh

Anija kozmike ruse “Luna-25” është përplasur në Hënë pasi doli jashtë kontrollit.  Ky ishte misioni i parë i Moskës në satelitin e tokës pas pothuajse 50 vitesh.

Anija pa pilot do të ishte e para që do të ulej në polin jugor të Hënës, por ajo dështoi pasi hasi në probleme. Anija duhej të eksploronte një pjesë të Hënës që shkencëtarët mendojnë se mund të mbajë ujë të ngrirë dhe elementë të çmuar.

Roscosmos, korporata shtetërore ruse e hapësirës, tha se kishte humbur kontaktin me “Luna-25” që mesditën e së shtunës. Sipas saj pajisja u zhvendos në një orbitë të paparashikueshme dhe u shkatërrua si rezultat i një përplasjeje me sipërfaqen e Hënës.

Kompania tha se një komision i posaçëm do të shqyrtonte arsyet e dështimit të misionit. Programi civil hapësinor i Rusisë ka qenë në rënie prej disa vitesh, pasi fondet shtetërore po drejtohen gjithnjë e më shumë drejt ushtrisë.

Rusia po garonte në polin jugor të Hënës me Indinë, anija kozmike e së cilës është planifikuar të ulet atje javën e ardhshme. Asnjë vend nuk është ulur dot ndonjëherë më parë në polin jugor të Hënës, edhe pse SHBA dhe Kina kanë zbritur në sipërfaqen e Hënës.

Për shkak se kjo zonë qëndron në hije ka mjaft hipoteza për prani të ujit.

Klan News