Zyrtari i parë i policisë që u përball me procesin

Zyrtari i parë i policisë që doli përballë trupës së vetingut u shkarkua nga detyra. Shehu, që deri tani mbante postin e Shefit të Sektorit të Ankesave në SHÇBA, rezultoi me probleme sa i takon pasurisë dhe aftësive profesionale.

Sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit ai nuk justifikoi një shumë prej 1.4 milionë lekësh. Këto para ai deklaroi në seancën dëgjimore se i kishte siguruar nga bakshishet në një bingo, ku ka punuar si shef salle, në vitet 96-98. Trupa gjykuese gjeti probleme edhe përsa i takon anës profesionale të Shehut.

Përballë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit u paraqit edhe numri 2 i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, Adriatik Ago. Trupa nuk konstatoi asnjë shkelje duke rezultuar i pastër në të tre shtyllat e rivlerësimit, atë të pastërtisë së figurës, aftësive profesionale dhe të pasurisë.

Në këtë fazë po i nënshtrohen vetingut gradat më të larta në polici dhe ato të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Më pas do të jenë punonjësit e SHÇBA që do të kryejnë vetingun, për të kaluar te gradat e mesme dhe të ulëta në Polici dhe Gardën e Republikës.   

Tv Klan